Nga kufizime në orare te karantina e plotë: Si po e feston bota Vitin e Ri?

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 23:27 | Nga Ekonomia Online

Kufizime janë vendosur në festimet e Vitit të Ri në të gjithë botën, ndërsa shumë vende përpiqen të frenojnë rastet e reja të Coronavirusit.

Fishekzjarret dhe mbledhje e tjera publike janë anuluar ngs Sydney në New York.

Festimet janë veçanërisht të mbyllura në Europë, mes frikës për një vazhdim tjetër të koronavirusit.

Franca ka mobilizuar 100,000 policë për t’u siguruar që çdo festë e Vitit të Ri do mbyllet dhe natën do të ketë një shtetrrethim.

Në Francë, qeveria ka urdhëruar një prezencë të dukshme të sigurisë në zonat urbane që prej orës 20:00, ditën e sotme, prej kur ka filluar dhe shtetrrethmi.

Në Paris, gjysma e linjave të metrosë do të mbyllet në mbrëmje.

Baret, restorantet dhe pikat turistike kultuore do qëndrojnë të mbyllura.

Në Angli, ku lloji i ri i koronavirusit po përhapet shpejt dhe 20 milionë njerëz në rajonet më të prekura janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson u bëri thirrje njerëzve të ndiqnin rregullat.

“Kjo do të thotë të mos takoheni me miqtë ose familjen, përveç rasteve kur ata janë në të njëjtën shtëpi”, u shpreh ai.

Irlanda ka vendosur nivelin e saj më të lartë të kufizimeve, duke ndaluar të gjitha vizitat në familje, duke mbyllur të gjitha shitjet me pakicë jo-thelbësore dhe duke kufizuar udhëtimet deri në 5 km.

Gjermania aktualisht është nën bllokim deri në 10 janar. Qeveria ka ndaluar shitjen e fishekzjarreve dhe ka vendosur kufizime të rrepta në numrin e njerëzve që mund të mblidhen në publik.

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se vendi do të ketë “natën më të qetë të Vitit të Ri” që ka patur ndonjëherë.

Hollanda është gjithashtu nën një bllokim (lockdown), i cili pritet të zgjasë deri më 19 janar. Numërimi i tij i zakonshëm për pritjen e Vitit të Ri, do të zhvillohet me dyer të mbyllura në një stadium futbolli në Amsterdam.

Turqia do të fillojë një bllokim katër-ditor në prag të Vitit të Ri.

Zyrtarët amerikanë kanë vendosur kufizime në festimet në shumë shtete dhe qytete të vendit.

Në New York, Times Square Ball do të ndriçojë gjatë numërimit tradicional deri në mesnatë, por zona nuk do të jetë e hapur për publikun.

Fishekzjarret janë anuluar në qytete si San Francisko, Las Vegas etj.

Në Australi pati një shfaqje fishekzjarresh, por nuk u lejuan grupime turmash. Mbledhjet në shtëpi ishin të kufizuara me deri në 5 të ftuar.

Në Kinë, shfaqja vjetore e dritës së Vitit të Ri në kryeqytetin e Pekinit u anullua. Festimet janë të reduktuara në gjithë vendin.

Japonia ka anuluar ngjarjen tradicionale të Vitit të Ri, ku Naruhito dhe anëtarët e tjerë të familjes perandorake dalin dhe përshëndesin njerëzit.

Në Indi, Delhi dhe disa qytete të tjera kanë vendosur një shtetrrethim natën dhe kufizime të tjera për të parandaluar tubimet e mëdha të Vitit të Ri.

Sidoqoftë, në Zelandën e Re, ku ka bllokime të rrepta dhe mbyllje kufijsh, festimet e Vitit të Ri mbahe si zakonisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme