Nganjëherë Albin Kurti e luan rolin e iriqit…

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 14:17 | Nga Enver Robelli

Sa herë që shtyhet drejt asfaltit, ai prapë u kthehet llugave. Çka i duhet në këtë intermexo politike të merret me aq shumë tema e gjëra aspak reale: bashkimi kombëtar, shkarkimi i presidentit, takimet e shpeshta me njerëz si Sulejman Ugljanini i Sanxhakut…

Me këto veprime e takime Kurti vetëm ia vështirëson vetes rrugën e krijimit të qeverisë. Thënë më drejtpërdrejtë: vetëm sa i motivon faktorët ndërkombëtarë e vendorë që t’i vendosin kurthe të ndryshme.

Dhe vendosjen e kurtheve rrezikon të mos e shohë fare ndërsa merret me «tema të mëdha». Albin Kurti nuk duhet të krijojë përshtypjen se do të ishte disi i lumtur të dështojë formimi i qeverisë, në mënyrë që pastaj të duket si viktimë dhe me atë imazh të fitojë më bindshëm zgjedhjet e reja parlamentare.

Ringjallja e debatit për bashkim të Kosovës me Shqipëri, thirrjet për marshime patriotike e dalldi të ngjashme në shërbim të politikave ditore, janë të mirëseardhura për kastën që e ka sunduar Kosovën qe 20 vjet.

Së pari për ta etiketuar Kurtin si nxitës të trazirave rajonale, së dyti për ta shfrytëzuar çdo tension për tollovi më të mëdha në Kosovë – sepse tollovia u duhet atyre që në 20 vitet e ardhshme nuk po e shohin veten në politikë, por e kanë vërejtur rrezikun se mund të pensionohen në burg.

Andaj manipulohet aq shumë me 28 nëntorin, me zbulim pllakash të UÇK-së, me debate të kota në stilin «kush është me Shqipëri, kush është me Jugosllavi» dhe marrëzi të tilla.

Ndërkohë… e dini… njerëzit shkojnë në Shkup për një vakcinë, jetojnë në ambient të ndotur, presin me muaj për një vizë (dhe nuk e marrin dot), nuk kanë punë dhe ëndërrojnë të largohen sa më shpejt nga Kosova, ata që janë ndonjë punë të mjerë shfrytëzohen egërsisht nga oligarkia.

Kur politikanët nuk kanë përgjigje në pyetjet e vështira, ata kapin shkopin e thuprën dhe i bien daulles me ushtimë patriotike.

Të ngjashme