Sundimi i dobët i ligjit në Kosovë vazhdon ta pengojë reduktimin e humbjeve në rrjetin energjetik të Kosovës.
Përkundër suksesit modest të shënuar viteve të fundit, niveli i humbjeve në rrjet vazhdon të jetë dukshëm më i lartë sesa normat e lejuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ZRrE.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga burime brenda sektorit energjetik, humbjet në rrjet – që ndodhin edhe për shkak të keqpërdorimin të energjisë elektrike – janë rreth 24 për qind.
Sipas ZRrE-së, që është autoritet që përcakton tarifat vjetore të energjisë, humbjet në rrjetin që menaxhohet nga KEDS nuk duhet të tejkalojnë vlerën e 16.9 për qind.
Sipas këtyre të dhënave, humbjet në rrjet në vitin 2013 arrinin në mbi 31 për qind, për t’u përmirësuar me më pak se 3 për qind një vit më vonë.
Kurse, në vitin 2015, humbjet ishin në mbi 26 për qind.
Vlerësohet se qytetarët që kyçen ilegalisht në rrjetin energjetik përfitojnë nga sundimi i dobët i ligjit, sepse edhe në rastet kur identifikohen kyçjet ilegale, ato nuk mund të ndërpriten deri në përfundimin e proceseve gjyqësore.
Ka raste kur proceset gjyqësore zgjasin vite të tëra derisa të merret një vendim.
Distriktet më problematike në Kosovë konsiderohet se janë Peja, Prishtina, dhe Gjakova, ku humbjet në rrjet arrijnë deri në 30 për qind.
Kurse, për shkak të rrethanave politike, në pjesën veriore me shumicë serbe, energjia elektrike e shpenzuar nuk faturohet fare.
Për shkak të mënyrës se si bëhet vendosja e çmimit të tarifave nga ZRrE, humbjet në rrjet prekin edhe xhepin e konsumatorëve të rregullt të energjise elektrike.
ZRrE merr parasysh edhe shpenzimet dhe investimet që bëhen nga akterët e përfshirë në sektorin energjetik, siç janë kompanitë e licensuara KEDS, KESCO, KEK, KOSTT, si dhe vetë bilancin e ZRrE-së, të cilat analizohen në mënyrë periodike.