Krerët e kurdëve të Irakut e kanë krijuar të hënën Këshillin Politik për jetësimin e referendumit për pavarësi, i cili u mbajt pavarësisht kundërshtimeve të Bagdadit zyrtar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan sot Koha Ditore.
Kurdistani irakian ka autorizuar zyrtarët për të nisur negociatat me Qeverinë irakiane dhe vendet e tjera për pavarësimin e rajonit autonom pasi 95 për qind e 3.3 milionë votuesve kanë përkrahur ndarjen e rajonit autonom nga Iraku.
Askush nuk e ka njohur legjitimitetin e referendumit, që do të përdoret si bazë për krijimin e shtetit të pavarur kurd prej 40 mijë kilometrash katrorë në perëndim të Irakut.
Referendumi kurd, si Deklarata e 2 Korrikut
Nehat Islami, gazetari që ka përcjellë si korrespodent i “Rilindjes” në Lindje të Mesme çështjen kurde qysh prej fillimit të viteve shtatëdhjetë, thotë se krerët kurdë e kanë organizuar referendumin që ta kenë si “lart rezervë” në vitet e ardhshme në rrugën për krijimin e shtetit të pavarur kurd.
Madje, ka një krahasim me veprimet politike të Kosovës në vitet nëntëdhjetë pasi Serbia ia suprimoi në marsin e 1989-s autonominë si krahinë e ish-Jugosllavisë.