Ngrihet aktakuzë ndaj Shukri Bujës dhe tetë ish-zyrtarëve komunalë

Prishtinë | 13 Shk 2017 | 15:22 | Nga

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër dhjetë  të pandehurve për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhënie e ryshfetit, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit janë: Sh.B., N.Z., H.G,. M.S,. F.R., H.V., E.R., B.R., D.A., dhe B.K. Në mesin e të akuzuarve është një ish-kryetar Komune dhe tetë zyrtarë tjerë të asaj Komune si dhe një ndërtues.

Ekonomia Online mëson se bëhet fjalë për Shukri Bujën, ish-kryetar i Lipjanit, tashmë deputet nga radhët e PDK-së. EO e ka kontaktuar në telefon deputetin Buja, por ai nuk është përgjigjur.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë në kod, se në cilësinë e personave zyrtarë ata kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar autorizimet e tyre, “gjithnjë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për të tjerët dhe me këtë duke i shkaktuar dëm tani të dëmtuarave: komunës në fjalë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së, ne atë mënyrë që duke vepruar në bashkëkryerje me dashje direkte, në mënyrë të kundërligjshme, kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehes së nikelit”.

Ata akuzohen edhe për një varg shkeljesh dhe keqpërdorimesh tjera të kryera me dashje, të përshkruara si në aktakuzë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme