Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.Sh. për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe të pandehurit E.D. për vepër penale “Mashtrim i mbetur në tentativë” nga neni 335 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 28 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Sh. më 28.04.2016 në Pejë, si zyrtar i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës, përpilon vendimin kinse të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj komune dhe atë i’a dërgon kryetarit G.M. të cilin e vë në lajthim dhe ky i fundit e nënshkruan së bashku me vendime tjera, ndërsa i pandehuri B.Sh. me të vërejtur se në të njëjtin vendim ka harruar ta përfshijë si palë kompaninë e të pandehurit E.D., përpilon edhe vendimin e dytë në të cilin e përfshinë si palë këtë kompani dhe më 03.05.2016 i’a dërgon personalisht të pandehurit E.D. dhe i’a njeh të drejtën e kompensimit si operator ekonomik në vlerë prej 440.000€, i cili me të pranuar këtë vendim, përmes postës i’a dërgon zyrtarit të financave, të dëmtuarit J.A. dhe kërkon kompensimin e vlerës së lartcekur.
Të pandehurit me këto veprime përkatësisht i pandehuri B.Sh. si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe tejkaluar kompetencat, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe i pandehuri E.D. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm t ë dobisë pasurore, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara sikur më lart.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtoj dhe t’i dënoj sipas ligjit për veprën penale të cilat i’u vihen në barë.