Nëse dikush do të kishte ndonjëherë një ide të çmendur për t’ia kushtuar një film historisë së Amir Rrahmanit te skuadra e Napolit, atëherë me siguri se ai do të ishte njëri prej më të shikuarve. Në të vërtetë, historia e Rrahmanit te Napoli është e veçantë, pasi futbollisti i Kosovës i mori çelësat e mbrojtjes së ekipit nga Serie A, pa bërë shumë zhurmë kanë shkruar mediumet italiane të mërkurën.
Javët e fundit, Rrahmani, falë lëndimit të grekut Kostas Manolas, më në fund ka gjetur hapësirë për të luajtur pasi ishte i ulur në stol për muaj të tërë te Napoli. Tani, megjithatë, ai thjesht duket se nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ndeshje pas ndeshjeje, Rrahmani asnjëherë nuk hoqi dorë nga posti i tij – madje as kur “senatorët” e mbrojtjes së Napolit janë përsëri në dispozicion të trajnerit Gennaro Gattuso.
Ndeshja kundër Bolognas, që u luajt vikendin e shkuar, ishte e shtata rresht për Rrahmanin si titullar. Në fakt, ai në gjashtë ndeshjet e fundit ka qenë i pazëvendësueshëm te Napoli duke e dëshmuar vazhdimisht zhvillimin e tij. Ai filloi të bëhet i rëndësishëm te Napoli pa tërhequr shumë vëmendje, pothuajse gjithmonë i përsosur në markimin e kundërshtarëve dhe me topin në këmbë. Duelin e ardhshëm në Serie A, Napoli e luan të dielën mbrëma kundër Milanit në stadiumin “San Siro”, dhe ai pritet të jetë prej minutës së parë në fushë duke e mposhtur konkurrencën e Manolasit tashmë të rikuperuar nga lëndimi.
Megjithatë, sezoni i Rrahmanit te Napoli nuk filloi në mënyrën më të mirë të mundshme: ish-futbollisti i Veronas e bëri debutimin e tij me napolitanët vetëm në janar të këtij viti, pas disa muajve që nxitën dyshime të shumta për Rrahmanin dhe të ardhmen e tij tek ekipi që e transferoi për 14 milionë euro. Madje, deri para debutimit të Rrahmanit me fanellën e Napolit, pyetja më e shpeshtë ishte:
“Pese nuk luan një lojtar që kushtoi 14 milionë euro?”, aq më tepër në një vit si ky, në të cilin orari është i ngjeshur me ndeshje që zhvillohen çdo tri ditë. Deri para debutimit, Rrahmani dukej një objekt misterioz te Napoli. Pastaj, krejt papritur, dëmtimet e Kalidou Koulibalyt dhe Manolasit, e detyruan trajnerin Gattuso t’i jepte Rrahmanit shansin e parë si titullar në kampionat kundër Udineses. Mirëpo debutimi i Rrahmanit te Napoli nuk ishte aspak i mirë. Udinese avancoi me pasimin e gabuar të Rrahmanit, i cili e humbi pothuajse çdo duel individual dhe detyroi Gattuson që ta zëvendësojë në fund të pjesës së parë. Pas debutimit katastrofal ndaj Udineses, kritikat u shtuan edhe më shumë ndaj Rrahmanit që u tregua kokëfortë: mbylli veshët dhe vazhdoi të stërvitej ditë pas dite, pa u shqetësuar tepër për kritikat e ashpra që ishin drejtuar ndaj tij.
Në fund, kokëfortësia e Rrahmanit u shpagua, me grumbullimin e minutave në këmbë, rritjen e nivelit të paraqitjeve që bënë të gjithë kritikët të ndryshojnë mendimin që e kishin në fillim. Testi i vërtetë i Rrahmanit ishte ndeshja kampionale kundër Juventusit, në të cilën ai markoi në mënyrën më të mirë të mundshme Cristiano Ronaldon dhe në fund u shpërblye me notën tetë për paraqitjen e tij. Ai jo vetëm që siguroi penallti për Napolin, por edhe ishte një mur i vërtetë në mbrojtje duke fituar të gjitha duelet, thjesht ishte i pakalueshëm. Edhe pse nuk ofron gjithmonë paraqitje të nivelit të lartë, Rrahmani pa dyshim që po zhvillohet edhe më shumë si lojtar dhe rritja e tij po jep rezultate të mira. Në ndeshjet kundër Beneventos dhe Bolognas, Rrahmani ka treguar një efektshmëri të madhe në ndërhyrjet e tij të sakta. Ai me hapa të vogël po del nga hija dhe në heshtje po e fiton besimin e të gjithëve te Napoli.
Mbi të gjitha, Rrahmani dëshmoi se po e priste vetëm një rast për të dëshmuar vlerën e tij, dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë shpresat janë të mëdha se mund të jetë kapiteni i ardhshëm i Napolit, ashtu siç kishte pretenduar agjenti i tij javë më parë.