Nimani: Tubimi në Gjakovë, dëshmi e entuziazmit për fitoren e Kosovës

Prishtinë | 13 Jan 2025 | 22:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Forumit Intelektual Europa 2030, Artan Nimani, njëherit kandidat për deputet i koalicionit AAK-Nisma- E30, që garon me numrin 25 në listat zgjedhore, ka shprehur kënaqësinë e tij për tubimin zgjedhor të organizuar në Gjakovë, shkruan Ekonomia Online.

Përmes një shkrimi në Facebook, Nimani e cilësoi si një ngjarje madhështore që dëshmoi entuziazmin dhe mbështetjen e qytetarëve për koalicionin fitues.

“Një tubim madhështor u mbajt sonte në Gjakovë, duke dëshmuar se qyteti i historisë, dijes dhe kulturës vazhdon të rreshtohet krah Kosovës fituese. Gjakova, si gjithmonë, ka bërë zgjedhjen e saj historike, duke emëruar Brigadën e UÇK-së me numrin 137, ndërsa sot po ashtu ka zgjedhur rrugën e unitetit dhe fitores duke votuar numrin 137,” tha Nimani gjatë fjalës së tij.

Ai theksoi se entuziazmi dhe masiviteti i pjesëmarrësve në këtë tubim janë dëshmi e qartë e mbështetjes popullore për koalicionin dhe bindjes se Gjakova do të vazhdojë të mbetet në ballë të proceseve që forcojnë dhe çimentojnë të ardhmen e Kosovës.

“Gjakova, qyteti im i dashur, gjithmonë ka qëndruar në ballë të historisë dhe lirisë. Me krenari dhe përkushtim, do të jap gjithçka për të përfaqësuar vlerat dhe aspiratat e qytetarëve të mi, duke qenë zëri i tyre për një Kosovë fituese,” shtoi Nimani.

Të ngjashme