Nis asfaltimi i rrugës që lidh fshatrat e Klinës me ato të Pejës

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 14:11 | Nga

Në fshatin Stupë të Klinës, kanë nisur punimet në asfaltimin e rrugës rajonale që lidh Komunën e Klinës, sidomos fshatrat e Lugut të Drinit me lokalitetet e Komunës së Pejës.

Ky është njëri ndër projektet më të mëdha kapitale në infrastrukturën rrugore të kësaj komune dhe i një rëndësie të veçantë, ngase për qytetarët krijon një rrugë transitore për t’u lidhur me magjistralen Pejë-Prishtinë, duke liruar edhe qendrën e qytetit nga automjetet.

Punimet kanë nisur në segmentin e parë që kushton rreth 140 mijë euro, ndërkohë që kjo rrugë mbi 14 km do të lidh fshatrat, Stupë, Budisalc, Nagllavë, Krushevë e Madhe, Zllakuqan, Jagodë, Videjë, Paskalicë dhe Zajm, me rrugën magjistrale Pejë-Prishtinë. I gjithë projekti kushton mbi 2 milionë euro.

Asfaltimi i kësaj rruga bëhet në bashkëfinancim të Komunës së Klinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në ceremoninë e përurimit të rrugës ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili potencoi se realizimi i këtij projekti ka qenë prioritet i qeverisjes lokale në Klinë duke u bazuar në nevojat e qytetarëve për lëvizje me të lehtë.

“ Sot jemi para një evenimenti mjaft të rëndësishëm jo vetëm për këtë lokalitet, por për të gjithë qytetarët e komunës sonë dhe me pjesën tjetër të Pejës që e shfrytëzojnë këtë rrugë. Kjo ka qenë njëra ndër arteriet më kryesore në të cilën gravitojnë shumë qytetarë, e cila ka qenë në gjendje të mjerueshme e për të cilën ka pasur edhe kërkesa të qytetarëve. Për realizimi e këtij projekti tashmë janë gjetur gjitha mundësitë buxhetore”, u ka thënë banorëve të shumtë të kësaj ane, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota.

Bashota pohoi se njëjtë me këtë rrugë e kemi edhe një arterie tjetër të rrugës në fshatin Ujmirë, e cila është në gjendje të keqe dhe edhe për atë i kemi gjetur fondet dhe shumë shpejt do të fillojmë me asfaltimin e saj.

“Infrastruktura rrugore e Komunës së Klinës gati po vjen në përfundim, pothuajse të gjitha akset kryesore që kanë karakter edhe regjional po asfaltohen. Po bëjmë përpjekje që t’i përmbyllim gjitha projektet që burojnë nga nevojat e qytetarëve”, tha Bashota.

Banorët, kanë falënderuar kryetarin Bashota për angazhimin e tij në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, jo vetëm për banorët e këtyre fshatrave, por edhe për gjithë Komunën e Klinës.

projekte-ne-luge-te-drinit-ura

perurimi-rruges-ne-stupe

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme