Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, është hapur edicioni i dytë i Festivalit të Shkathtësive Digjitale, ku qindra studentë po ndjekin një ditë edukative dhe fuqizuese.
Pjesë e hapjes së këtij festivali kanë qenë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me ambasadorin e BE-së Tomáš Szunyog dhe ambasadorin gjerman Jörn Rohde, raporton Ekonomia Online.
“Më shumë se 500 studentë, entuziastë të teknologjisë dhe një gamë e larmishme pjesëmarrësish po ndjekin me entuziazëm një ditë edukative dhe fuqizuese plot aktivitete të fokusuara në ‘Tranzicionin Binjak’ drejt një të ardhmeje të qëndrueshme digjitale. Programi i gjerë i festivalit përfshin diskutime të hollësishme, punëtori gjithëpërfshirëse dhe prezantime frymëzuese që janë përshtatur për pjesëmarrësit duke përfshirë profesionistë, biznese dhe studentë”, thuhet në njoftim.
Financuar nga BE-ja dhe Gjermania, kjo ngjarje nxjerr në pah kryqëzimin kritik të tranzicionit të gjelbër dhe digjital. Tranzicioni digjital integron teknologjitë e përparuara në jetën e përditshme, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, theksoi se tranzicioni digjital dhe i gjelbër është mënyra optimale për të garantuar transformimin efikas të arsimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij.
“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë përherë në krye dhe në krah të nismave që mbështesin këtë objektivë, dhe Festivali i Shkathtësive Digjitale është shembull i shkëlqyer për arritjen e këtij qëllimi madhor”, tha ajo.
Në hapje të ngjarjes, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, tha inovacioni dhe epoka digjitale po e transformojnë botën në mënyra të paimagjinueshme.
“Nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive, ne mund të rrisim konkurrencën e NVM-ve dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat e rinj”, përfundoi Ministrja Hajdari.
Në fjalën e tij të hapjes, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomáš Szunyog, tha se Festivali i Shkathtësive Digjitale është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar kryqëzimet e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
“Këto tranzicione nuk janë vetëm rrugë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por janë thellësisht të ndërlidhura. Inovacionet digjitale mund të zhbllokojnë efikasitetin në energjinë e ripërtërishme, bujqësinë e qëndrueshme dhe modelet ekonomike qarkore. Bashkimi Evropian është krenar që e mbështet Kosovën në këtë rrugëtim, duke nxitur rritjen ekonomike, sociale dhe mjedisore. Mezi pres të shoh idetë dhe bashkëpunimet inovative që do të dalin nga ky festival”, theksoi ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, theksoi se “ITP është bërë një vend, dhe Festivali vjetor i Shkathtësive Digjitale është bërë një mundësi e shkëlqyer, ku mendjet e zgjuara me bazë ndërdisiplinore nga e gjithë Kosova dhe më gjerë takohen, mësojnë së bashku dhe krijojnë inovacione”.
Festivali organizohet përmes komponentit Digjital për Biznesin, i zbatuar në kuadër të Qendrës së Transformimit Digjital të ITP-së si bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.
Festivali i Shkathtësive Digjitale mbështetet edhe nga institucionet e nderuara si pjesë e Iniciativës Crosscience, një platformë bashkëpunuese që bashkon 11 universitete publike dhe private në Kosovë, së bashku me një inkubator biznesi universitar.