Furnizimi provues me ujë me kapacitet të plotë nga Ujësjellësi Rajonal i Gazivodës, prej nga do të marrin ujin për pije banorët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës veriore, ka nisur sot, raportojnë mediat në gjuhën serbe.
Kjo është një zgjidhje e problemit shumëdekadësh për furnizimin me ujë të banorëve të veriut të Kosovës, të cilët shpesh, sipas raportimit të këtyre mediave, vareshin nga vullneti i mirë i të punësuarve në ujësjellësin që ndodhet në pjesën jugore, pjesën shqiptare të qytetit, siç e quajnë këto.
Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal Gazivoda ka nisur para tetë vjetësh, ndërsa thuhet se Republika e Serbisë ka investuar për të 16 milionë euro.
Fabrika kryesore për pastrimin e ujit ndodhet në Gazivodë, jo larg nga diga kryesore, në komunën e Zubin Potokut, ndërsa nga aty gypi kryesor shtrihet deri në Mitrovicën veriore, me gjatësi 25 km dhe kapacitet 20 litra kube në sekondë, transmeton koha.net.
Uji i papërpunuar që trajtohet në mënyrë që të jetë e pijshme, merret 70 metra thellë nga akumulimi i Gazivodës.
Deri në vitin 1999 banorët e Mitrovicës veriore dhe të Zveçanit furnizoheshin me ujë të pijes nga ujësjellësi në Shipol, i ngritur me mjete të vetëkontributit. Pas ardhjes së forcave paqësore ndërkombëtare në Kosovë uji ishte kthyer në drejtim të Vushtrrisë dhe të Skenderajt, kështu që sipas mediave serbe, pjesa veriore e qytetit dhe Zveçani vazhdimisht përballeshin me restriksione të ujit për pije.
Koha.net rikujton se nga pas lufta banorët e këtyre komunave nuk kanë paguar faturat e ujit, sikundër edhe ato për energjinë e shpenzuar.