Federata Europiane e Karatesë të premten ka nisur një hetim për ndalimin që autoritetet serbe i kanë bërë garuesve nga Kosova në Kampionatin Europian në Novi Sad.
Atletëve kosovarë s’iu lejua hyrja në Serbi as të martën e as të mërkurën për shkak të simboleve të shtetit të Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.
“Federata Europiane e Karatesë ka vendosur të hapë hetim për aspektet që lidhen me ndalesën e pjesëmarrjes të atletëve kosovarë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e FEK-ut, transmeton Insporti.
“Si pasojë e diskutimeve që kemi pasur në Komitetin Ekzekutiv është vendosur të formohet një komision i veçantë për ta trajtuar këtë çështje”.
Ky komision do të drejtohet nga sekretari gjeneral i Federatës Europiane të Karatesë, Stjepan Celan, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe dy zëvendëspresidentë.