Nis hetimi për arratisjen e shqiptarëve nga burgu në Greqi

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 14:27 | Nga

Mesnatën e së mërkurës katër persona u arratisën nga qelitë e paraburgimit në Athinë. Ata janë tre shqiptarë dhe një gjeorgjian.

Ky i fundit u kap menjëherë sapo kapërceu gardhin e burgut, ndërsa tre shqiptarët arritën të largoheshin. Megjithatë, pasditen e djeshme njëri prej shqiptarëve të arratisur 35 vjeç u kap nga policia greke në zonën e Manida, në një vendbanim rom ku qëndronte i fshehur.

Por, cili është profili i të burgosurve që sharruan hekurat e dritares së qelisë?

Shtypi grek ka zbardhur të kaluarën e tyre. I burgosuri gjeorgjian ka vrarë pronarin e një taverne në Selanik më 4 Shtator 2013 me qëllim për ta grabitur.

Shqiptari 35-vjeçar që u arrestua dje është i akuzuar për trafik droge. Në kërkim mbeten ende dy shqiptarë të tjerë, 38 dhe 27 vjeç. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e një shtetasi shqiptar për shkak të trafikut të drogës.

Ndërkohë që 38-vjeçari tjetër akuzohet për trafik droge. Të dy këta të fundit ndodhen në arrati dhe po kërkohen gjerësisht nga policia.

Media greke “Zougla” publikoi dje fotot e tre shqiptarëve që u arratisën nga qelia. Ata janë me iniciale B.K., M.F. dhe Z.A.

Në paraburgimin ku ndodhi arratisja ka nisur një hetim i brendshëm për të zbuluar se si mundën të largoheshin katër të burgosurit. Ata sharruan hekurat e qelisë që ndodhej në katin e dytë të ndërtesës dhe zbritën prej andej duke përdorur çarçafët dhe batanijet.

Një arratisje spektakolare e kanë konsideruar mediat greke. Katër oficerë policie të paraburgimit u morën në pyetje ditën e djeshme, të cilët ishin përgjegjës në momentin kur tre shqiptarët dhe gjeorgjiani arritën të thyenin sigurinë e burgut. Ndërkohë, paralelisht po vijon dhe një hetim administrativ për zbatimin e rregullave nga punonjësit e paraburgimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme