Nis ngjyrosja e simbolit të pavarësisë – Autori nuk e zbulon kujt do t’i dedikohet sivjet monumenti “Newborn”

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 10:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Transformimi i monumentit “Newborn”, ka nisur edhe këtë vit në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Këtë vit, e kaltra dhe e verdha janë binomi i ngjyrave me të cilat ka filluar ngjyrosja e simbolit të Pavarësisë së Kosovës, sikur shihet dhe në pamjet e Ekonomia Online.

“Newborn” ngjyroset ndryshe çdo 17 Shkurt dhe i dedikohet një teme të caktuar.

Një qytetar, nuk u nda i kënaqur me punimet e sivjetme, me ç’rast tha se nuk i kupton as ngjyrat.

“Të drejtën me të thënë nuk po më pëlqen aq. Më herët m’u ka dokë më mirë, nuk di çka do të thonë këto ngjyra”, u shpreh ai, për EO.

Të mërkurën në mëngjes pak njerëz u panë duke punuar në këtë monument që ndodhet para Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet. Ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës se cila do të jetë “tema” e sivjetme.

EO ka provuar të kontaktojë dhe autorin Fisnik Ismaili, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e shkrimit.

Duket se Ismaili dëshrion ta mbajë të fshehtë mesazhin që sivjet dëshiron t’i përçojë botës (dhe kosovarëve).

Por, ai ka paralajmëruar se “mesazhi do të jetë provokues”.

“Fatkeqësisht nuk mund të tregoj se si do të jetë. Por po e përmendim faktin se kur të shihet, ndoshta do të më thonë se jam antiamerikan”, ka thënë Ismaili, për Koha.net.

Monumenti i “Newborn” është një skulpturë tipografike, që ishte promovuar më 17 Shkurt 2008, ditën kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Monumenti u bë një simbol, edhe në mediet ndërkombëtare, për të raportuar për pavarësinë e Kosovës.

Monumenti përmban fjalën angleze “Newborn” (I posalindur) në shkronja te mëdha, te cilat janë ngjyrosur me ngjyrë te verdhë të çelët kur monumenti ishte zbuluar për here të parë.

Monumenti, më vonë ishte ngjyrosur përsëri me flamuret e shteteve të cilat e njohin Kosovën.

Monumenti, i cili është i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, vazhdon të jetë një atraksion turistik.

Të ngjashme