Nisen pjesëtarët e FSK-së për në Shqipëri, Mehaj: Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 21:44 | Nga Ekonomia Online

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejtë Shqipërisë për të intervenuar në shuarjen e vatrave të zjarrit.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili theksoi se që nga fillimi i shpërthimit të zjarreve krahas operacioneve në vend ka ofruar mbështetjen e plotë për intervenim edhe në Shqipëri, njofton Klankosova.tv.

“I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezëve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë. Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë”.

“Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam marrë siguruar homologun tim , ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani”.

Nisjen e trupave të FSK-së e ka autorizuar edhe Komandatja Supereme, Vjosa Osmani-Sadriu.

“Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë”.

“Së bashku jemi më të forte në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona!” është shprehur mes tjerash Mehaj.

Të ngjashme