Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) , në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë e Industrisë (MTI) kanë hapur “Javët e Biznesit Kosovar 2018” me moton “Unë konsumoj produkte vendore. Po Ju?”.
Aty po marrin pjesë më shumë se120 kompani vendore.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka uruar fillimin e fushatës duke bërë apel për të ndryshuar mendjen e qytetarëve për të konsumuar sa më shumë produkte vendore.
“Ky projekt daton që nga 2003-ta, që nga atëherë kemi pasur vështirësi për të ndalë konkurrencën e armiqësisë së disa vendeve dhe sot jemi mbledhë me më shumë se 100 kompani si zëvendësim i produkteve të tjera me ato vendore. Kosova mund të zhvillohet edhe pa produktet e Serbisë. Ne jemi fajtorë pse nuk konsumojmë produkte vendore. Vetëm duke konsumuar 100% produkte shqip e zhvillojmë ekonominë tonë. Ky aktivitet është zhvilluar në kohën kur qeveria ka marrë vendime të guximshme, të drejta por ne themi se edhe pa vendim do jemi besnikë për prodhime vendore”, ka thënë Shahini, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se për sa kohë që do të jetë ministër do të përkrahë bizneset vendore dhe do të bëjë më shumë në fushën e investimeve të huaja në Kosovë.
“Të shfrytëzojmë rastin që kompanitë tona ta përcjellin këtë aktivitet dhe prodhimi jonë të jetë i mundshëm edhe për eksport. Dua ti garantojë prodhuesit vendor dhe qytetarët e Kosovës, se nuk do lejoj që në Kosovë të futet produkt që shkruan “Kosovo Metohija”. Konsumoni sa më shumë prodhime vendore”, ka thënë ministri Shala.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Redzepi, ka thënë se çfarëdo që do të bëjnë bizneset vendore, si institucion do të qëndrojnë prapa.
“Ajo çfarë ju bëni, ne si institucione do ju përkrahim të gjithë ju që merreni me prodhime”, ka thënë ajo.
Zv. Ministri i Financave, Hyzer Gashi ka thënë se duhet të bëhen politika kur është fjala për mbrojtje të prodhimit vendor.
“Ne e mbështesim aktivitetin tuaj, pasi jemi të bindur se qëllimi tij i parë për të promovuar produkte vendore, ndikon fuqishëm në zhvillim të bizneseve dhe atë ekonomik. Nuk duhet të na vijë marre të bëjmë politika autoktone, sidomos në evazionet që po ndodhin”, tha Gashi.
Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, e ka quajtur inkurajues vendimin ndaj taksës së produkteve të Serbisë.
Ai ka thënë se këtij vendimi duhet t’i bashkohen edhe biznese të tjera që janë në luginë.
“Kjo listë të zgjerohet edhe me bizneset tjera, sepse bizneset në Luginë janë të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Fatos Kastrati, drejtor i shitjes në “Vipa chips”, ka thënë se nuk pret që të ketë përfitime financiare nga ky organizim, por sipas tij kjo është mënyrë e promovimit të produkteve vendore.
Ndërsa, u shpreh se masa 100 për qind ndaj produkteve serbe është masë respekti për Kosovën.
“Masa që e ka marrë qeveria e Kosovës, mendoj që është e qëlluar dhe mendoj që është një masë më tepër respekti për shtetin e Kosovës, për prodhuesin vendor. Këtij vendimi duhet t’i bashkërendohen tash edhe pikat shitëse ku brendet kosovare janë prezent që edhe prej anës së tyre të merret iniciativë që hapësira ekspozuese e brendeve kosovare në pikat tyre. Te angazhohemi bashkërisht që duhet zgjeruar hapësirën ekspozuese të rrisim edhe shitjen e produkteve kosovare dhe të fuqizojmë brendet vendore”, tha ai.