Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe me ndihmën e Drejtorisë Komunale të Arsimit ka filluar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta.
Këto vizita organizohen për të katërtin vit me radhë dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në këto paralele, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor. Gjatë këtyre vizitave janë identifikuar shumë patologji, për të cilat Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka marr një varg masash për evitimin e tyre.
Ky vit është shumë i rëndësishëm, pasi plotëson ciklin prej katër viteve, me ç’rast tanimë janë përfshirë të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri te klasa e nëntë. Nga viti i ardhshëm, të gjithë fëmijët do t’iu nënshtrohen kontrolleve për herë të dytë. Kjo mundëson krahasimin me rezultate konkrete dhe të matshme për shëndetin e të gjithë nxënësve dhe masave konkrete që pritet pastaj të ndërmerren bazuar në këto rezultate.
Duke marr shkas nga kjo situate dhe rëndësinë që këto vizita kanë në shëndetin e fëmijëve, lusim të gjithë prindërit e fëmijëve në këto paralele, për bashkëpunim dhe koordinim të plotë me stafin shëndetësor si dhe me mësuesit dhe kujdestarët e klasave përkatëse.