Sekretari i Përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka reaguar ndaj deklaratave të zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila dje tha se “deklaratat që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në punët e brendshme të vendit fqinj nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon”.
Sherifi thotë se është befasuar nga kjo deklaratë. “Fillimisht mendova se ishte një prononcim kundër autoriteteve të Serbisë të cilët vazhdimisht kërcënohen se do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të kthyer sovranitetin e vet mbi shtetin e Kosovës. Por, jo! Qëndrimet e zonjës Kocijançiq nuk kishin të bënin fare as me deklaratat e Tomislav Nikoliqit, e as me ato të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit”.
“Ajo, për habinë e çdo njeriu që njeh realitetin e kësaj pjese të Ballkanit, këtë prononcim e bëri lidhur me deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit!”
Sherifi thekson se nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë shtrembërim në përkthim, atëherë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim të plotë me realitetin.
“Për çfarë raportesh fqinjësore flet ajo? Së pari, nëse qëndrimi i tillë i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, atëherë zonja Kocijançiq nuk e di se Shqipëria, së paku nga 17 shkurti i vitit 2008, nuk është shtet fqinj i Serbisë”.
“Nëse zonja Kocijançiq prononcohet duke pasur në kokë hartat e vjetra politike dhe këtë qëndrim e shpreh në raport me deklaratën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, atëherë po ia rikujtoj se Kosova që në qershor të vitit 1999 praktikisht nuk është pjesë e Serbisë, ndërsa nga viti 2008 edhe në aspektin formal-juridik Kosova është shtet i pavarur, mëvetësinë e të cilës e kanë njohur shumica e vendeve në botë dhe shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Evropian”, thotë zyrtari i Nismës.
Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, sipas Bilall Sherifit, përmban paqartësi të mëdha dhe si e tillë ajo nxit shpresat ekspansioniste të Serbisë, shtetit që kreu tri gjenocide vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX.
“Prandaj, si zëdhënëse e një institucioni aq të rëndësishëm evropian, zonja Kocijançiq duhet të jetë më aktive kundër përzierjes së Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës dhe diskurseve luftënxitëse të Serbisë që nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon”, përfundon reagimi i Sherifit.