Nisma e intelektualëve serbë ka paralajmëruar protestë për 30 dhjetor

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa “ProGlas” ka mbajtur një konferencë për media në Beograd. Aktorja Svetllana Ceca Bojkoviq ka lexuar një deklaratë në të cilën “ProGlas” kërkon përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore dhe bën thirrje për një protestë paqësore gjithë popullore të shtunën.

“Ne kërkojmë që brenda gjashtë muajve pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, krahinore dhe lokale në të gjithë Serbinë”, ka thënë Bojkoviq.

Ajo ka thënë se “ProGlas” fton qytetarët në një protestë paqësore të shtunën më 30 dhjetor në ora 12:00 te shatërvani në sheshin “Terazije” në Beograd.

Ajo ka deklaruar se “ProGlas” ofron mbështetje të plotë për studentët, dënon sulmet ndaj institucioneve, si dhe përdorimin e tepruar të forcës dhe u bën thirrje personave në grevë urie që të mos dëmtojnë shëndetin e tyre.

Bojkoviq ka thënë se “ProGlas” para zgjedhjeve u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, duke besuar se pjesëmarrja masive mund të neutralizojë efektet e parregullsive zgjedhore, por edhe të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për to.

“Angazhimi i përgjithshëm, jo ​​vetëm i votuesve, por edhe i një numri rekord kontrolluesish, ndihmoi në mbledhjen e një sasie të madhe të provave të parregullsive drastike dhe inxhinierisë zgjedhore në bashkëpunim me vëzhguesit vendas dhe të huaj”, tha ajo.

Akademiku serb Vlladica Cvetkoviq përkujtoi se nismëtarët e “ProGlas”-it janë mbledhur si qytetarë të shqetësuar dhe tani janë edhe më të shqetësuar.

“Tani, si më të shqetësuar, ne përsëri bëjmë thirrje për protesta paqësore”, ka thënë ai.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Filip Eidus, tha se fitoren në zgjedhjet në Serbi e kanë uruar më së shumti përfaqësues të qeverive autoritare, ndërsa nga Perëndimi nuk ka asnjë sinjal se rezultatet e zgjedhjeve janë njohur plotësisht.

Ai vuri në dukje se gjëja më e rëndësishme për iniciativën “ProGlas” është ajo që mendojnë qytetarët e Serbisë, si dhe se nga këmbëngulja e luftës sonë varet nëse ata aktorë ndërkombëtarë që hezitojnë për arsye gjeopolitike, në fund do t’i quajnë gjërat me emrin e tyre të duhur.

Të ngjashme