NISMA Socialdemokrate me shqetësim ka ndjekur zhvillimet e sotme në selinë e OVL të UÇK-së dhe shpreh mospajtimin e saj për mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OVL- UÇK-së në selinë e saj.
Që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së i janë përgjigjur sistemeve të drejtësisë pa asnjë hezitim, duke filluar nga gjykatat e UNMIK-ut, Hagës dhe ato të EULEX-it.
Prandaj, askush nuk ka asnjë arsye të ndryshoj mënyrën e sjellës në raport me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, është shqetësuese që në aktakuzën e bërë publike nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, Prokuroria ka dalë nga mandati dhe zotimi se objekt i hetimit do të jenë vetëm individët për veprimet e tyre të supozuara kriminale dhe jo UÇK.
Në fakt, nga ajo që kemi parë në aktakuzën e bërë publike, kjo Prokurori po heton duke e cilësuar UÇK-në si ndërmarrje kriminale.
Një cilësim i tillë është ofendues për popullin e Kosovës dhe për më tepër është jashtë mandatit të Dhomave të Specializuara të votuara nga Kuvendi i Kosovës.
UÇK ka qenë, është dhe do të jetë përgjithmonë ushtri çlirimtare e popullit të saj e jo ndërmarrje kriminale.