Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 31.01.2026, gjatë shpalljes së zgjedhjeve përfundimtare nuk e ka miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.
Për shpalljen e rezultateve për këtë parti votuan Kreshnik Radoniqi- si kryetar i KQZ-së, Gordana Llaban- anëtare e Listës Serbe në KQZ dhe Almir Saiti- anëtar nga Partia e Re Demokratike. Kundër shpalljes së këtyre rezultateve ishin dy anëtarët e LVV-së, kurse anëtarët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, KDTP-së dhe PREBK abstenuan.
Pas reagimeve nga Ambasada amerikane dhe OSBE-së, KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të anëtarëve të KQZ-së nga radhët e disa partive.
Derisa Alban Krasniqi(LVV), Arianit Elshani (PDK) dhe Sami Hamiti (LDK), deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje, Muharrem Nitaj nga radhët e AAK-së ka thënë se mbledhja e fundit e KQZ-së, “nuk kishte rrjedhë normale”.
“Aty ndodhen disa veprime të çuditshme, të cilat e determinuan edhe pozicionimin tim në këtë proces votimi. E para, katër anëtarë të KQZ, ende pa hyrë në proces votimi, u deklaruan se nuk kishin votë për rezultatin e Listës Serbe, vota që ishin përcaktuese për rezultatin përfundimtar.”- tha ai për KALLXO.com.
Për këtë anëtar të KQZ-së, ishte e pakuptueshme kur u vendos që votimi të ndahej dhe të mos bëhej në pako.
Nitaj konsideron se absurditeti në këtë mbledhje ka vazhduar edhe kur nuk u votua rezultati për katër partitë politike shqiptare nga përfaqësuesja e Listës Serbe në KQZ.
“Pas krijimit të kësaj situate të çuditshme, vlerësova se e vetmja rrugë normale për mua, mbetej të mos isha pjesë e këtij jonormaliteti, duke mos votuar as për as kundër.”- tha Nitaj duke treguar se pse vendosi të abstenoi kur u hodh në votim shpallja e rezultatit për Listën Serbe.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka kritikuar veprimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që nuk e ka miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe gjatë shpalljes së zgjedhjeve përfundimtare.
Madje, si pasojë e këtij veprimi të KQZ-së, kjo ambasadë theksoi se kështu “minohet partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
“Vendimi i KQZ-së për të mos miratuar publikimin e rezultateve zgjedhore për Listën Serbe bie ndesh me të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre. Çdo përpjekje për të cenuar këtë parim themelor minon partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”- tha Ambasada për KALLXO.com.
Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar se është informuar se partia Lista Serbe ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shpallur formalisht votat e marra nga kjo parti në zgjedhjet e 28.12.2025.
“Misioni thekson nevojën për pajtueshmëri të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore.”- thuhet në këtë njoftim të OSBE-së.
Ky mision ka kërkuar që t’i jepet fokus publikimit të rezultatit me transparencë dhe gjithëpërfshirje, si mjet për siguri ligjore dhe trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve zgjedhorë.
Ky mision ka njoftuar se do të monitoroj afër zhvillimet.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e vlerësoi si “të pakuptimtë” mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe.
Ndërkohë, Lista Serbe në lidhje me këtë vendim është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Igor Simiq nga Lista Serbe ka thënë se vendimi i së shtunës vë në dukje “se regjimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti po përpiqet t’i pengojë anëtarët e komunitetit serb t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.
Ai ka treguar Lista Serbe do ta apelojë këtë vendim, të cilin e quan “të paligjshëm dhe anti-serb”.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që LVV-ja vepron në këtë mënyrë. Por, në instancën e parë të ankesës, në PZAP ka rrëzuar vendimet e KQZ-së.
Nëntë nga 10 vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb u fituan nga Lista Serbe në dy palë zgjedhjet e fundit. E 10-ta nga Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Në fund të janarit, Gjykata Kushtetuese nxori konstatimin se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, e që aktualisht është Lista Serbe. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ishte Nenad Rashiq ai që zgjodh nënkryetar, por që nuk ishte propozuar nga Lista Serbe.
Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28.12.2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si partia e parë me më së shumti vota do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6 deputetë.
Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.03% apo 900,330 votues nga 1,999,204 votues në Listën Votuese.