Nitaj thotë se arrestimi i Zekës e Demaliajt është shenjë e diktaturës

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 18:34 | Nga

Shenjë të diktaturës i ka quajtur arrestimet e deputetëve Milaim Zeka nga Nisma e Shkumbin Demaliaj nga AAK-ja, deputeti tjetër i AAK-së, Muharrem Nitaj, parti kjo në pushtet.

“Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj dhe Milaim Zeka, arrestohen vetëm për shkak të fjalëve që i kanë thënë në televizion. Unë personalisht kam vërejtjet e mia për gjuhën që ata e kanë përdorur, por a mund të cilësohen kanosje dhe kërcënim vetëm qëndrimet e tyre publike, sado të pamatura qofshin ato?!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Nitaj, tutje thotë se “Vlerësoj se arrestimi i tyre ka qenë krejtësisht i panevojshëm sepse ata nuk kanë bërë as edhe një veprim të vetëm që mund të cilësohej kërcënim”.

“Qysh kur prokuroria e shtetit i paska rregulluar krejt punët e veta, saqë paskan ardhë në radhë të arrestohen deputetët, vetëm për aq sa flasin në studio televizive!!! Nuk janë arrestuar kërcënuesit e denoncuar, nga viktimat që më pas janë vrarë, e tash po arrestohen deputetë pse e teprojnë me fjale?!”, ka thënë tutje Nitaj.

Këto janë shenja të diktaturës dhe jo të drejtësisë!, thotë Nitaj.

“Deputetët Demalijaj e Zeka duhet të lirohen menjëherë dhe Prokurori i Shtetit duhet të japë sqarime! Nuk mbyllen deputetët për një fjalë goje. A keni dëgjuar të ketë ndodhur diçka e tillë në botë, përpos në diktaturë, apo ju jeni të parët që e keni zbuluar!”, ka përfunduar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme