Shqiptarët, përfshirë qytetarët e Kosovës, janë populli që shpenzojnë më shumë për ushqime në Europë, në raport me atë që prodhon ekonomia e tyre në një vit.
“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”. ‘Poema e Mjerimit’ e Migjenit, e shkruar në vitet ’30, duket se është aktuale edhe sot. Shqiptarët, përfshirë qytetarët e Kosovës, janë populli që shpenzojnë më shumë për ushqime në Europë, në raport me atë që prodhon ekonomia e tyre në një vit.
Monitor ka përpunuar të dhënat e Institutit Europian të Statistikave, Eurostat, që ka përditësuar informacionin për shpenzimet nominale për ushqime për vitin 2017. Sipas këtyre të dhënave, për Shqipërinë, shpenzimet nominale për ushqime, përbënin 31% të prodhimit e brendshëm bruto (GDP- që mat prodhimin e ekonomisë në një vit, apo dhe të ardhurat që sigurohen nga puna dhe pronat). Të dhënat kanë përfshirë dy vitet e fundit dhe Kosovën ku treguesi është pak më i ulët se në Shqipëri, në 29.2%% të GDP-së. Kur në këtë tregues llogariten dhe pijet jo-alkoolike, Kosova kalon në vend të parë me 34.1% të GDP-së, ndërsa për Shqipërinë ky tregues rritet lehtë në 31.9% të GDP-së.
Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë shumë më të larta. Për mesataren e BE-së, ky tregues është vetëm 6% e GDP-së, ku më i larti është në Rumani, me 15.8% të GDP-së dhe më i ulëti në Irlandë dhe Luksemburg me 2.7 dhe 2.6% të PBB-së.
Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP_së (shih grafikun). Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate (pa përfshirë Kosovën dhe Turqinë), mesatarja është 19.7%.
Në vlerë absolute, çdo shqiptar shpenzon për t’u ushqyer në vit 1,248 euro, nga rreth 1800 euro që është shpenzimi mesatar në BE, por duhet të kemi parasysh që të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë vetëm sa 30% e mesatares europiane!
Në një tjetër tregues më të detajuar, të publikuara nga Eurostat, shpenzimet për bukë dhe drithëra në Shqipëri ishin sa 4.9% e GDP-së, sërish më e larta në Europë, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 3.1% të GDP-së (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Konsumi i lartë i bukës dhe brumërave është një shenjë e varfërisë dhe e nivelit të ulët të të ardhurave që siguron një vend, që është i detyruar të blejë ushqimet shtrenjtë, për shkak se një pjesë e madhe e tyre importohen (për ironi, Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në Europë me rreth 18-20% të PBB-së nga 2% që është mesatarja e Azisë dhe Europës dhe rreth 8% e Maqedonisë së Veriut).
Vetëm pasi plotëson nevojat primare, ato të të ushqyerit, një familje fillon e mendon për shpenzime të tjera, ku vendin e fundit e zënë ato për udhëtime, apo luks e argëtim.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar bukën, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2008-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së, për të rënë lehtë në 4.9% në 2017-n .
Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra ishin 198 euro në vit në 2017-n, më të lartat historike dhe më shumë në rajon. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt në vlerë absolute, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre. Sipas metodës së fuqisë blerëse (ku mesatarja e Bashkimit Europian merret si referencë me 1), Shqipëria e ka këtë tregues gati 90, më i larti në Europë.