Një familje indiane që mori rrugën drejt ShBA-së nuk mundi ta arrijë destinacionin.
Ata vdiqën nga i ftohti 12 metra larg kufirit amerikan, njofton Klan Kosova.
Natën që Vaishaliben Patel, bashkëshorti i saj Jagdish dhe dy fëmijët e tyre u nisën për në kufirin ShBA-Kanada, ata u veshën me pallto të reja e të rënda dimërore dhe çizme bore. Temperaturat ku ata ecnin, në Emerson, Manitoba, kishin rënë më shumë se 35 gradë nën zero, shkruan BBC.
Familja e re ndoshta nuk kishte përjetuar kurrë më parë temperatura kaq të ulëta. Në fshatin e tyre të lindjes në Indinë perëndimore edhe në ditën më të ftohtë nuk arrinte më shumë se -10 gradë.
Derisa ata ecën me orë të tëra, erërat e forta bartnin borë dhe copa akulli nëpër fusha, duke e zvogëluar dukshmërinë thuajse në asgjë.
Rasti misterioz i kësaj familje të re ka tronditur kanadezët dhe indianët njësoj.
Zyrtarët kanë thënë se ata besojnë se vdekja e kësaj familje është rast i kontrabandës me njerëz dhe autoritetet në SHBA dhe Kanada janë ende duke u përpjekur ta marrin vesh se si ata arritën deri në Emerson dhe kush mund t’i ketë çuar ata atje – drejt vdekjes së tyre.