Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka konfirmuar se një person i burgosur në burgun 313 në Tiranë ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ky është rasti i parë në Shqipëri që një i burgosur konfirmohet me koronavirus, shkruan A2 CNN.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se në total në këtë burg janë kryer rreth 40 testime, prej të cilave ka rezultuar i infektuar vetëm një person.
Autoritetet shëndetësore apo të burgjeve nuk kanë dhënë ende asnjë informacion mbi identitetin e të burgosurit të prekur nga Covid-19, ose mënyrën sesi ai ka rënë në kontakt me Coronavirusin.