Dialogu Kosovë-Serbi, që po zhvillohet prej vitit 2011 nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian – e që njëherë nisi si proces teknik, e më pas evoluoi në një dialog të nivelit të lartë – tashmë ka hyrë në fazën finale, e cila, sipas paralajmërimeve edhe zyrtare, do të duhej të përmbyllej më së voni në mars të vitit 2019.
Për më tepër, publikut në Kosovë, por edhe atij në Serbi, si dhe atij ndërkombëtar, tashmë po i paralajmërohet se marrëveshja finale, që thuhet se do të sjellë “normalizimin” mes dy vendeve, do të jetë një ujdi mes dy presidentëve, Hashim Thaçit të Kosovës dhe Aleksandar Vuçiqit të Serbisë, për ndryshimin e kufirit mes dy vendeve, shkruan Koha Ditore.
Derisa presidenti i Kosovë thotë se ky do të jetë “korrigjim i kufirit” dhe se rezultati do të jetë që Kosovës t’i bashkohen tri komunat e Luginës së Preshevës, pala serbe flet për shkëmbim territoresh me veriun e Kosovës që kalon nën sovranitetin e Serbisë, ndërsa një pjesë e Luginës – Presheva e Bujanoci – t’i bashkohet Kosovës.
Një ripozicionim i tillë i kryenegociatorëve të Brukselit është përcjellë me pajtim të rezervuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe kundërshtim të ashpër nga një pjesë tjetër.