Grupi i Shtatë (The Group of Seven) ishte lëvizja e parë artistike kombëtare e Kanadasë që fitoi njohje ndërkombëtare, duke luajtur një rol kyç në formësimin e një identiteti modern dhe të veçantë kanadez gjatë viteve 1920. Ndërsa në Kanada shënohet Dita Zyrtare e Group of Seven, trashëgimia e tyre vazhdon të jetë objekt diskutimi: sa përputhen idealet e këtij grupi me ato të të ashtuquajturit “Indian Group of Seven”, i krijuar pesë dekada më vonë?
Në pikturën “Stormy Weather, Georgian Bay” (1921), artisti F.H. Varley paraqet një pemë të vetmuar që qëndron mes shkëmbinjve dhe ujërave të trazuar të Gjirit Georgian. E goditur nga era dhe stuhia, ajo nuk dorëzohet. Me penelata të ashpra dhe forma të thjeshtuara, vepra nuk paraqet vetëm forcën e natyrës, por edhe qëndrueshmërinë e kolonëve kanadezë dhe lidhjen e tyre me peizazhin e egër të vendit.
Kjo pikturë konsiderohet një nga veprat më ikonike të The Group of Seven, kolektivit artistik që u shkëput nga tradita akademike evropiane për të krijuar një stil autentik kanadez, të frymëzuar nga natyra madhështore dhe e paprekur e vendit.
Sipas Katerina Atanassova, kuratore e lartë e artit kanadez në Galerinë Kombëtare të Kanadasë, veprat e këtij grupi kanë për Kanadanë të njëjtën peshë simbolike që ka Statuja e Lirisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, 7 korriku festohet çdo vit si Dita e Group of Seven.
Grupi përbëhej nga Franklin Carmichael, Lawren Harris, A.Y. Jackson, Franz Johnston, Arthur Lismer, J.E.H. MacDonald dhe F.H. Varley. Megjithëse nuk ishte pjesë zyrtare e tij, Tom Thomson konsiderohet frymëzimi më i madh i grupit, pasi vdiq në vitin 1917, tre vite përpara themelimit të tij. Veprat si The Jack Pine, The West Wind dhe North Shore, Lake Superior janë shndërruar në simbole të identitetit artistik kanadez.
Artistët filluan të punonin së bashku gjatë viteve 1910, në një periudhë kur Kanadaja, megjithëse ishte vetëqeverisëse brenda Perandorisë Britanike që nga viti 1867, ende nuk kishte krijuar një identitet të mirëfilltë artistik.
Një moment vendimtar ndodhi në vitin 1913, kur MacDonald dhe Harris vizituan një ekspozitë të rëndësishme të artit bashkëkohor skandinav në Buffalo, SHBA. Artistët nga Norvegjia, Suedia dhe Finlanda po ndërtonin identitetin e tyre kombëtar përmes peizazheve të thjeshtuara, ngjyrave të forta dhe një qasjeje moderne ndaj natyrës. Pikërisht aty artistët kanadezë kuptuan se edhe peizazhi i Kanadasë mund të shndërrohej në simbol të identitetit kombëtar.
Ndikim të madh pati edhe Tom Thomson, një artist autodidakt dhe dizajner grafik, i cili kalonte javë të tëra duke udhëtuar me kanoe nëpër pyjet dhe liqenet e Kanadasë për të pikturuar natyrën.
Sipas Atanassovës, Thomson ishte artisti që krijoi figurën ikonike të pemës së vetmuar, duke i frymëzuar të tjerët ta shihnin natyrën kanadeze jo si një peizazh për t’u kopjuar, por si një përvojë emocionale.
“Qëllimi i tyre nuk ishte të paraqisnin se si dukej natyra, por mënyrën se si ajo i bënte të ndiheshin – emocionet që krijonin qielli me yje, pishat e përkulura nga era apo brigjet e zhveshura të Liqenit Superior,” shpjegon Atanassova.
Vdekja e papritur e Thomsonit në moshën 40-vjeçare e ktheu atë në një figurë legjendare të kulturës kanadeze. Kur grupi u themelua zyrtarisht në vitin 1920, synimi ishte të vazhdonte vizionin e tij artistik.
Megjithatë, ekspozita e parë nuk u prit mirë. Një kritik i kohës shkroi se pikturat e tyre i ngjanin “përmbajtjes së stomakut të një të dehuri”.
Ironikisht, ishte pikërisht vlerësimi ndërkombëtar ai që ndryshoi opinionin publik në Kanada. Në Ekspozitën e Perandorisë Britanike, të mbajtur në Wembley në vitin 1924, veprat e tyre u pritën me entuziazëm dhe shtypi britanik i cilësoi si art me një “karakter të veçantë kanadez”. Pas këtij suksesi, artistët u pranuan dhe u vlerësuan edhe në vendin e tyre.
Megjithatë, ky “karakter kanadez” është kritikuar për faktin se nuk përfshinte popujt autoktonë.
Sipas Atanassovës, kjo kritikë nuk është plotësisht e drejtë, pasi artistët nuk paraqitën as qytete, as industri dhe as shenja të civilizimit njerëzor.
“Ata kërkonin natyrën e paprekur, sipas traditës së artit modern skandinav. Për këtë arsye nuk paraqitën as zhvillimin industrial.”
Megjithatë, sot dihet se mungesa e popullsisë indigjene në këto peizazhe lidhej edhe me politikat shtetërore të kohës. Që nga fundi i shekullit XIX, komunitetet indigjene ishin zhvendosur me forcë në rezervate ose në shkolla rezidenciale, ku lëvizja dhe praktikat e tyre kulturore ishin kufizuar.
Këto politika ndikuan rëndë edhe në zhvillimin e artit indigjen. Si reagim ndaj përjashtimit institucional, në fillim të viteve 1970 u krijua organizata Professional Native Indian Artists Incorporated (PNIAI).
Grupi përbëhej nga Jackson Beardy, Eddy Cobiness, Alex Janvier, Norval Morrisseau, Daphne Odjig, Carl Ray dhe Joseph Sanchez.
Ata konsiderohen grupi i parë i organizuar nga vetë artistët indigjenë për të mbrojtur të drejtat e tyre artistike dhe për të sfiduar mënyrën se si arti indigjen trajtohej nga institucionet.
Sipas Michelle LaVallee, drejtoreshë e Departamentit për Mënyrat Indigjene dhe Dekolonizimin në Galerinë Kombëtare të Kanadasë, në atë periudhë nuk kishte pothuajse asnjë kurator apo profesionist indigjen në institucionet kulturore.
Arti indigjen ekspozohej kryesisht në muze etnografikë dhe jo në galeritë e artit bashkëkohor, megjithëse përfaqësonte formën më të hershme dhe më autentike të artit kanadez.
“Ne nuk kishim askënd që të ekspozonte veprat tona, ndaj u detyruam ta bënim vetë. E mbështetëm njëri-tjetrin kur bota e artit na refuzonte. Së bashku rrëzuam barriera që do të kishin qenë shumë më të vështira për t’u përballuar vetëm,” kishte deklaruar më vonë Daphne Odjig.
Megjithëse media i quajti “Indian Group of Seven”, LaVallee shpjegon se vetë artistët preferonin emrin zyrtar Professional Native Indian Artists Incorporated, pasi për ta ishte e rëndësishme të theksohej profesionalizmi dhe identiteti i tyre.
LaVallee vlerëson edhe veprat e Group of Seven, por thekson se mënyra se si të dy grupet e konceptojnë peizazhin është thellësisht e ndryshme.
Artistët e PNIAI nuk e shohin tokën vetëm si peizazh. Në veprat e tyre, toka lidhet me historinë, shpirtin, kafshët, kujtesën dhe identitetin. Alex Janvier shpesh përdorte harta në kompozimet e tij, ndërsa Norval Morrisseau krijonte lidhje mes natyrës, botës shpirtërore dhe qenieve të gjalla.
“Është ndryshimi mes dikujt që i përket kësaj toke dhe dikujt që vjen si kolon dhe e vlerëson atë,” shprehet LaVallee.
Sipas saj, edhe pse artistët e Group of Seven mund të mos kenë pasur qëllim të përjashtonin popujt indigjenë, mënyra se si veprat e tyre u përdorën për të ndërtuar narrativën kombëtare të Kanadasë kontribuoi në krijimin e një historie ku komunitetet indigjene mbetën të padukshme.
Sot, Galeria Kombëtare e Kanadasë ekspozon veprat e artistëve indigjenë dhe jo-indigjenë në të njëjtat hapësira, duke synuar të ndërtojë një histori më gjithëpërfshirëse të artit kanadez.
LaVallee thekson se kjo nuk bëhet për të fshirë historinë ekzistuese, por për ta plotësuar atë.
“Kanadaja është një vend shumëkulturor, por arti i parë i kësaj toke ishte arti indigjen dhe njerëzit e parë të kësaj toke ishin popujt indigjenë. Kjo duhet të pranohet, të respektohet dhe të njihet.”
Në vitet 1970, veprat e Group of Seven u interpretuan nga disa si përjashtuese dhe të lidhura me narrativën koloniale. Megjithatë, në shekullin XXI, ato shihen në një këndvështrim krejtësisht tjetër. Për shumë kanadezë të sotëm, të apasionuar pas natyrës dhe jetës në ambient të hapur, arti i këtij grupi përfaqëson një homazh ndaj bukurisë së jashtëzakonshme natyrore të vendit.
Sipas Katerina Atanassovës, pikturat e tyre mishërojnë “atë lidhje të papërpunuar dhe autentike me natyrën, pikërisht me natyrën që shihni në këto piktura. Liqenet janë ende po ato, qielli është po ai. Është një shprehje e përvojës suaj personale, e asaj që shihni, ndieni dhe jetoni./KultPlus.com