Një muaj paraburgim ndaj dy hetuesve policorë dhe një rreshteri

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, dy hetuesve policorë Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, si dhe një rreshteri të Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, të cilët po dyshohen për përfshirje në afera korruptive.

Lajmin se këtyre tre të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojtësi i të dyshuarit Menxhiqi, avokati Skënder Musa.

Ndryshe, të enjten, në një konferencë për media të organizuar nga ana e Policisë së Kosovës, ishte bërë e ditur se, tre zyrtarë policorë, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), një biznesmen, si dhe një qytetar, janë prangosur gjatë mbrëmjes të së mërkurës dhe mëngjesin e së enjtes, nën dyshimin për përfshirjen e tyre në afera korruptive.

Në mesin e të arrestuarve ishin edhe hetuesi i lartë në Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Lavdim Osmani, zyrtari tjetër policor, Lutfi Menxhiqi, si dhe kryeinspektori i Agjencisë së Regjistrimit Civil në MPB, Arben Mustafa.

Për këtë operacion, zyrtarë policorë kanë thënë se hetimet kishin filluar që nga viti i kaluar.

Sipas tyre, shumat për të cilat zyrtarët policorë po dyshohen që i kishin kryer në favor të personave të tjerë sillen rreth 1.000 apo 10.000 euro.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelanit, operacioni i parë nga IPK-ja kishte rezultuar me arrestimin e tre personave, dy policë dhe një qytetar, ndërsa operacioni i së enjtes, ka përfunduar me tre të arrestuar, një zyrtar në ARC, një polic dhe një qytetar.

Sipas tij, dy zyrtarë të arrestuar nga IPK-ja kishin qenë pjesë edhe e hetimeve të zhvilluara nga ana e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Drejtorisë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Bashkim Spahiu ka thënë se më 17 tetor 2019, kjo drejtori në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kishin filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore për tre persona të dyshuar.

“I dyshuari i parë AM, kryeinspektor në ARC, i dyshuar i dytë LM, zyrtar policor-rreshter në sektorin e hetimeve të krimeve ekonomike dhe korrupsion dhe ndaj të dyshuarit të tretë LB – qytetar afarist nga Kaçaniku, ndaj të cilit hetuesi i dyshuar nga sektori i krimeve ekonomike ka pasur në trajtim raste hetimore dhe dyshohet se më qëllim të krijimit të favoreve në procedurë penale dhe hetimore ka pranuar ryshfet përmes të dyshuar A.M. Nga ky hetim kemi arritur të grumbullojmë prova të nevojshme me të cilat mbështetet dyshimi i bazuar se të dyshuarit janë të përfshirë në vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti” dhe “ushtrim ndikimi”, ka thënë Spahiu.

Ai tha se me 5 shkurt 2020, drejtoria që ai udhëheq kishte pranuar urdhër kontroll nga Gjykata Themelore në Ferizaj, i cili targeton banesat, zyrat e punës, lokalet përcjellëse dhe shtëpitë e tre të dyshuarve.

“Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion me 6 shkurt 2020, është duke vazhduar operacionin, pothuajse jemi në fazën finale që lidhet më urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me c’rast kemi realizuar urdhëresat në adrese të tre personave”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, rreshteri i dyshuar ishte suspenduar dhe se ndaj tij ishte duke u zhvilluar procedurë hetimore, ndërsa zyrtari i ARC-së dhe qytetari afarist nga Kaçaniku tha se ishin arrestuar.

I pyetur se cila ishte lidhja me njërin nga të dyshuarit, Spahiu ka thënë se me hetuesin policor të arrestuar nga IPK-ja kishin lidhje familjare.

“Është e vërtetë që me hetuesin e arrestuar nga IPK, kam një relacion familjar, prindërit tonë, baba jem dhe nëna e tij janë fëmijë të dy motrave, pra jem tezakë, mirëpo kjo nuk e zbeh qasjen as time e as të stafit mbikëqyrës për me i hetu rastet”, ka thënë ai.

Riza Shallova, drejtor i Departamentit të Hetimeve ka thënë se operacioni i së enjtes kishte rezultuar me arrestimin e një zyrtarit të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), me pozitë të kryeinspektorit në ARC, i dyshuar për aktivitete kriminale.

Sipas Shallovës kishte rezultuar se në këtë aktivitet kriminal ishin përfshirë edhe zyrtar policor të cilët në bashkëpunim me kryeinspektorin e ARC-së kishin kryer aktivitete kriminal.

“Kemi të arrestuar një qytetar afarist nga Kaçaniku i cili ka qenë i përfshirë në këtë grup të dyshuar kriminal. Dje përmes mediave është bërë publike që janë arrestuar edhe dy zyryar të tjerë policor nga IPK të cilët kanë qenë të përfshirë edhe në operacionin e sotëm të zhvilluar nga Drejtoria për hetimin ekonomik dhe korrupsionit që kanë kryer aktivitet për të cilat edhe është marrë dje urdhër kontrolli dhe për të cilët është përgatitur edhe arresti sot, por të njëjtit janë zbuluar se kanë edhe aktivitete të tjera kriminale të hetuara nga IPK”, ka thënë Shallova.

Sipas tij, kemi të bëjmë me dy raste të ndara, njëri rast që hetohet nga IPk të cilët janë dy zyrtar policor të përfshirë dhe të arrestuar me 5 shkurt 2020, të cilët sipas Shalloves ishin suspenduar nga ai për tri ditë, por të cilët kishin qenë të përfshirë edhe në rastin e 6 shkurtit 2020.

“Sot gjithashtu është arrestuar edhe një zyrtar tjetër policor, një rreshter i cili punon në kuadër të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe pas informacioneve që kemi marrë nga IPK që do të vazhdojnë operacionin policor jemi koordinuar me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe të korrupsionit dhe bashkërisht kanë marrë pjesë në zhvillimin e aktiviteteve tjera në drejtim të kontrollit, të hapësirave të zyrtarëve të dyshuar policor”, kishte thënë nder të tjerash Shillova.

Sipas tij, ndaj zyrtarit të lartë të MPB-së i dyshuar për aktivitete kriminale ishte ushtruar kallëzim penal në PSRK edhe nga Drejtoria e Hetimit të Krimit dhe trafikimi me qenie njerëzore.

Ai kishte thënë se kishin pasur aktivitete të dyshuara kriminale sa i përket falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë, pajisjes me dokumente në mënyrë të paligjshme, ku të dyshuar kishin qenë edhe kosovar dhe të huaj, sipas tij, rasti i dy shtetasve turq të cilët kishin marrë nënshtetësinë dhe dokumente kosovare.

Sipas tij këto raste kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin edhe të Policisë si dhe të MPS-së dhe ARC-së.

Ai tha se kishin transferuar një numër të madh të zyrtarëve policorë nga të gjitha drejtoritë dhe se sipas tij, kishin qenë të qëlluara duke rezultuar me parandalim të dukurive negative.

Por, ai kishte theksuar se ka edhe zyrtar të tjerë, të cilët mund të ishin të përfshirë në aktivitet dhe shkeljeve penale, por tha se ishin të përkushtuar për t’i identifikuar të gjithë këta zyrtarë, ku sipas tij 17 zyrtarë ishin transferuar nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Lidhur me zyrtarin policor Lavdim Osmani, ai tha se ishte i njohur për shkelje të ndryshme brenda policisë dhe ndaj tij ishin iniciuar procedura të brendshme disiplinore, ku sipas tij ai ishte hetuar vitin e kaluar dhe ishte rekomanduar që të këtë transfer disiplinor dhe ndalesë në pagë 21%.

Të ngjashme