Një muaj paraburgim për burrin nga Shtimja që rrahu ish-gruan në mes të rrugës

Prishtinë | 18 Shk 2022 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj të dyshuarit Sh.M., i cili dyshohet të ketë sulmuar në mes të rrugës ish-bashkëshorten e tij.

I pandehuri dyshohet se, për shkak të një mosmarrëveshje për të holla, me forcë ka kapur për flokësh dhe xhakete ish-bashkëshorten e tij, të cilën më pas e kishte goditur me grushte në fytyrë.

Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima kishte pranuar ndihmë mjekësore në QKMF-në në Shtime.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja kishte ndodhur më 16 shkurt të këtij viti, në një rrugë të Shtimës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme