Nëse pini nga një pije alkoolike në ditë, kjo mund ta shkurtojë jetëgjatësinë tuaj për rreth një vit, sugjeron një studim i ri.
Hulumtuesit në Britani, të cilët i studiuan shprehitë e pijes së 599,912 konsumuesve në 19 vende në mbarë botën nga viti 1964 deri në vitin 2010, zbuluan se pirja e më shumë alkoolit është e lidhur me një rrezik më të lartë të goditjes në tru, aneurizmit fatal, dështimit të zemrës dhe vdekjes. Gjetjet e tyre u publikuan ditë më parë në revistën “Lancet”.
Në Shtetet e Bashkuara një pije në ditë për femrat dhe deri në dy pije në ditë për meshkujt është niveli i rekomanduar, sipas udhëzimeve dietike të qeverisë për amerikanët, transmeton Koha.net. Në Britani, kufijtë e rekomanduar janë rreth tetë pije në javë për meshkujt dhe femrat, të shpërndara në tri ose më shumë ditë. Kufijtë e rekomanduar në Itali, Portugali dhe Spanjë janë pothuajse 50 për qind më të larta se udhëzimet britanike.
Studiuesit zbuluan se pirja e 100 deri 200 gramëve në javë – më pak se dy pije – u vlerësua ta shkurtonte jetëgjatësinë e një 40-vjeçari për gjashtë muaj.
Dhjetë ose më shumë pije në javë u lidhën me 1-2 vjet jetëgjatësi më të shkurtër dhe 18 pije ose më shumë u ndërlidhën me 4-5 vjet jetëgjatësi më të shkurtër.
Shikuar në një mënyrë tjetër, një gotë verë apo pintë e birrës mbi kufirin prej dy pijeve në javë do t’ia marrin rreth 15 minuta jetës së një personi.
“Kjo është një thirrje alarmante për shumë vende – tha dr. Jeremy Pearson, drejtor mjekësor i asociuar në Fondacionin Britanik të Zemrës, i cili e financoi pjesërisht studimin, në një njoftim për shtyp të Lancet.
Të dhënat janë nxjerrë nga Emerging Risk Factors Collaboration, EPIC-CVD dhe United Kingdom Biobank. Në mesin e rreth 600,000 të studiuarve ka pasur 40,310 vdekje dhe 39,018 incidente të sëmundjes kardiovaskulare pas të paktën 12 muajve të punës pasuese.
“Mesazhi kryesor i këtij hulumtimi është se, nëse tashmë pini alkool, pirja e reduktuar mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë dhe ta ulni rrezikun prej disa sëmundjeve kardiovaskulare”, tha dr. Angela Wood nga Universiteti i Cambridge, përcjell Koha.net. “Konsumi i alkoolit lidhet me një rrezik pak më të ulët të sulmeve jofatale të zemrës, por kjo duhet të jetë e balancuar kundrejt rrezikut më të lartë të shoqëruar me sëmundje të tjera të rënda – dhe potencialisht fatale – kardiovaskulare”.
Mosha, gjinia, statusi diabetik, shprehitë e pirjes së duhanit dhe faktorë të tjerë që lidhen me sëmundjen kardiovaskulare u analizuan gjithashtu.
Dr. Tim Chico, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Sheffield, vuri në dukje se duhanpirësit i humbin mesatarisht 10 vjet jetë.
“Megjithatë, nga provat e mëhershme mendojmë se ka të ngjarë që njerëzit që pinë shumë më tepër se 43 njësi kanë gjasa të humbasin edhe më shumë jetëgjatësi, dhe nuk do të habitesha nëse konsumuesit më të rëndë humbin po aq vite jetë sa edhe duhanpirësit”, tha Chico për The Guardian.
Rreziku variues i formave të ndryshme të sëmundjeve kardiovaskulare mund të lidhet me ndikimin që alkooli e ka në presionin e gjakut dhe në fakte të tjera të lidhura me nivelet e kolesterinës HDL – ose kolesterinës “së mirë”.
“Ky studim ka treguar se pirja e alkoolit në nivele që besohej të ishin të sigurta është e lidhur në fakt me jetëgjatësi më të ulët dhe disa rezultate të pafavorshme shëndetësore”, tha bashkautori dr. Dan G. Blazer nga Universiteti Duke.