Një refleksion për “mini-shengenin”

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 20:29 | Nga Florian Qehaja

Edhe unë i bashkangjitem karvanit se një ide e tillë është e hershme, e paqartë dhe mbi të gjitha parimisht e rrezikshme prej një pozicioni të pafavorshëm të Kosovës.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, së bashku me një pjesë të establishmentit në Tiranë vazhdojnë të nxitojnë dhe të tregohen injorantë për kontekstin ‘post-jugosllav’ dhe prandaj e gjithë kjo ngatërresë.

Megjithatë unë mendoj që do të ishte gabim nëse Qeveria e ardhshme do ta refuzonte apriori një nismë të tillë sepse mbase edhe qëllimi final do të ishte që të kategorizoheshim si refuzues të proceseve integruese e bashkëpunuese.

Kjo do ta vështirësonte pozicionin tonë negociator me Serbinë në muajt/vitet e ardhshme tashmë kur partnerët tanë tradicional janë në pozicion defanziv.

Qeveria e ardhshme do të duhej të jetë pjesë e këtyre diskutimeve me kërkesa/kushte si më poshtë:

  • Që Kosova të jetë pjesë e barabartë e këtij procesi (pas asnjë shënim/fusnotë apo përjashtime të ngjajshme);
  • Që të shkohet në drejtim të lehtësimit e jo heqjes totale të barrierave (BE edhe ashtu nuk do të lejonte heqjen e pikëkalimeve kufitare për shkaqe të sigurisë);
  • Që të pranoheshin të gjitha dokumentet me automatizëm (p.sh letënjoftimi, pasaportat, diplomat, certifikatat) pa ndonjë dokument përcjellës;
  • Që të parashihet mundësia e reciprocitetit në rast se shtetet do të ndërmerrnin masa tjera në dëm të këtij procesi (psh me shumë gjasë Serbia do të vendoste patrolla policore në brendi të vendit për të ushtruar kontrolle, I njëjti mekanizëm do të aplikohej nga Kosova dhe të tjerët);
  • Që principi i lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave të bëhet vetëm në korniza e qëllime biznesore, private e turistike dhe jo zyrtare;
  • Që Sekretaria e kësaj nisme të jetë me seli në Prishtinë, mbase nisma e parë rajonale që do ta kishte vend-qëndrimin në Kosovë.

Unë jam më se i sigurtë se ky pozicion vështirë se do të pranohej në Serbi prandaj është mirë që të jemi pjesë e zgjidhjes e jo problemit edhe atëherë nëse dështon diçka e tillë.

Të ngjashme