Sean “Diddy” Combs do të qëndrojë më gjatë në burg, pasi autoritetet amerikane kanë ndryshuar sërish datën e lirimit të tij.
Muajin e kaluar u raportua se reperi do të lirohej më 24 janar 2028, një muaj më herët se ishte planifikuar fillimisht. Megjithatë, sipas të dhënave të përditësuara të Byrosë Federale të Burgjeve, data e re e lirimit është 20 shkurt 2028.
Ndryshimi vjen pas një përleshjeje që Combs pati disa javë më parë me një të burgosur tjetër. Sipas raportimeve, konflikti nisi pasi ai u ofendua nga i burgosuri tjetër, ndërsa stafi i burgut ndërhyri për t’i ndarë. Pas incidentit, Combs u vendos përkohësisht në izolim.
Kjo nuk është hera e parë që data e lirimit të tij ndryshon. Fillimisht ai pritej të lirohej në verën e vitit 2028, më pas data u zhvendos në prill, më vonë në shkurt, pastaj në janar dhe tani është rikthyer sërish në shkurt.
56-vjeçari po vuan një dënim prej katër vitesh burg në Institucionin Federal Korrektues Fort Dix në New Jersey, pasi u shpall fajtor për akuza që lidhen me transportimin e personave për prostitucion.
Përveç burgimit, gjykata e dënoi edhe me një gjobë prej 500 mijë dollarësh dhe e urdhëroi të ndjekë programe për shëndetin mendor dhe trajtimin e varësisë.