Një vit më parë, pikërisht më 10 gusht, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që më 1 shtator ta dërgojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për ratifikim në parlament.
Ky vendim është marrë në vazhdimin e mbledhjes, pasi fillimisht takimi u ndërpre nga Glauk Konjufca, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili sa ishte i pranishëm në mbledhje, hodhi gaz lotsjellës, transmeton kp.
Kjo mbledhje e Kryesisë së Kuvendit, është zhvilluar pa praninë e mediave për shkak se gazetarët u larguan nga salla ku po mbahej takimi.
Koalicioni qeverisës PDK-LDK nuk arri t’i sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, sado që kjo marrëveshje ka gati dy vjet prej se është nënshkruar (26 gusht 2015).
Tek një vit pas këtij nënshkrimi, me gjithë kritikat e opozitës, Projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi u miratua nga Qeveria e Kosovës.
Kurse, pasi kryesia vendosi që marrëveshja të shkoj në seancë më 1 shtator, porse tek pas fillimit të seancës i pari i ekzekutivit, Isa Mustafa, vendosi ta tërheqë nga rendi i ditës, pasi që Lista Serbe nuk ishte në Kuvend, ndërkohë jashtë protestohej nën organizimin e opozitës.
Por, pavarësisht se pas këtij “dështimi” u tha disa herë se Demarkacioni do të riprocedohet në Kuvend, një gjë e tillë nuk po ndodhi.
Kjo pasi që koalicioni qeverisës nuk po arrin t’i sigurojë numrat e mjaftueshëm për ta ratifikuar atë.
Nga ana tjetër, edhe vetë zyrtarë të Qeverisë thonë se Demarkacioni do të shkojë në Kuvend tek atëherë kur ka sinjal për siguri të votave.