Një vit pas, për Kurtin, Ukshin Hoti s’është më “një nga personat e zhdukur me dhunë”, por “i zhdukur me forcë”

Prishtinë | 16 Maj 2023 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hotin, në 24-vjetorin e zhdukjes së tij.

Ngjashëm pati vepruar edhe sot një vit, ku zhdukjen e politikanit patriot dhe intelektualit e konsideronte si “zhdukje me dhunë”.

Por, një vit pas, Kurti ka ndryshuar terminologjinë e tij nga “të zhdukur me dhunë” në “të zhdukur me forcë”, pikërisht në 24-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti.

Sot, Kurti u shpreh se “zhdukjet me forcë gjatë luftës” ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve.

Ai, përmendi edhe deklaratën me të cilën Kosova e Serbia u pajtuan për të zhdukurir, ku tha se shteti serb ka hyrë në obligim ndërkombëtar me Kosovën për të dhënë çdo informacion për “të zhdukurit me forcë në luftën e fundit në Kosovë”.

“Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës”, tha Kurti.

Derisa një vit më parë, në 23-vjetorin e zhdukjes së Hotit, Kurti shkruante:  “Është edhe një nga 1617 personat e zhdukur me dhunë në Republikën e Kosovës, nga lufta e fundit”.

“Jemi zotuar e kemi marrë për detyrë parësore të këmbëngulim te Serbia, si përgjegjëse për zhdukjen e tij, dhe çdo qytetari tjetër tonë, që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ishte shprehur Kurti.

Albin Kurti 2023
Deklarimi i Kryeministrit Kurti në 24-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit
Deklarimi i Kurtit në 23-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit
Deklarimi i Kryeministrit Kurti në 23-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit

Të ngjashme