Me që jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2016/2017, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka kërkuar nga drejtorët komunalë të arsimit që t’i presin mirë fëmijët dhe t’i shmangin ata nga ngjarjet politike.
Këto komente ai i ka bërë gjatë takimit që ka pasur sot me drejtorët komunalë të arsimit për të diskutuar lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/2017.
Ministri Bajrami ka theksuar se përzgjedhja e drejtorëve të bëhet me kritere e jo sikurse në të kaluarën në baza partiake.
Ministri i Arsimit konfirmoi se më 1 shtator do të nisë mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në Kosovë, tha se ky vit do të fillojë me tekste të rishikuara nga klasa e parë deri të nëntën.
Bajrami tha se Ministria e Arsimit ka miratuar kalendarin shkollor ku sivjet nuk do të ketë asnjë ditë të humbur të shkollës.
“Jemi në përfundim të rekrutimit të stafit dhe inspektorati do të dal me një raport përfundimtar ku do të tregohet se janë kyçur ata që e meritojnë. Jemi në përfundim për disa procedura në përzgjedhjen e drejtorëve ku edhe ata do të jenë në bazë të meritave. Do të bëjmë përpjekje që politikën ta lëmë jashtë shkollave”, tha ai.