Një zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës merr pagën një vit rresht pa shkuar në punë

Prishtinë | 08 Kor 2018 | 11:35 | Nga

Ministria e Infrastrukturës ka paguar një vit rresht një zyrtar pa figuruar në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë dhe pa dëshmi se ka kryer punën që iu ka ngarkuar. Ky nuk është rasti i vetëm, pasi ekzistojnë edhe 31 raste tjera të ngjashme, ku të gjithë i përkasin komunitetit të minoriteteve.

Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2017. Sipas këtij raporti në MI, në dy raste është vërejtur që nëpunësit civil (udhëheqës divizioni) kanë mbajtur pozitën ushtrues detyre më tepër se tre muaj, 18 përkatësisht 23 muaj.

Raporti thekson se në rregulloren e orarit të punës, thuhet se orari i punës fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00 përveç nëse rregullohet ndryshe nga organizata. Gjithashtu neni 7 vijueshmëria në punë: gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës.

“Çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose regjistrin elektronik, si dhe mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore. Në një rast kemi vërejtur që MI nuk kishte dëshmi për vijueshmërinë në punë për një zyrtar. I njëjti asnjëherë nuk figuron në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2017, ndërsa kompensimi vjetor për këtë të punësuar ishte 4,564 euro. Gjithashtu nuk ka dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që është ngarkuar në MI. Në listën e pranuar nga zyrtarët përgjegjës të MI-së, vërehet se ekzistojnë edhe 31 punonjës/raste tjera të ngjashme, ku të gjithë i përkasin komunitetit të minoriteteve. Në 12 raste të testuara në vlerë 628,419€ kemi vërejtur se situacionet nuk janë nënshkruar nga menaxheri i projektit nga ana e Ministrisë. Menaxherët e projekteve kanë lëshuar vetëm certifikatën për pagesë e cila nuk konfirmon se janë bërë pranimet për sasinë dhe kualitetin e punimeve. Në këto raste ne nuk kemi mundur të marrim siguri se janë bërë verifikimet e duhura për punët e kryera nga ana e Ministrisë” thuhet në raport.

Auditori po ashtu ka gjetur se kontrata/projekti “Ndërtimi i rrugës Dragash-Shishtavec pika kufitare me Shqipërinë Segmenti Kryqëzimi me rrugën nacionale R113 deri tek pika kufitare Borje Jazhince” ishte kontraktuar në vlerë prej 199,877 euro, ndërsa sipas deklaratës së disponueshmërisë, mjetet ishin buxhetuar në vlerë prej 50,000 euro. Auditori rekomandon se hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme e rrit rrezikun e krijimit të vonesave të zbatimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë ngarkesë për buxhetin e vitit vijues.

“Gjithashtu, testimet tona kanë hasur në projektet në vlerë prej 480,369€ të cilat nuk ishin të përfshira në plan të prokurimit, ndërsa janë kontraktuar gjatë vitit 2017, ato janë: “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës në Skivjan Novosellë, KK Gjakovë” me vlerë prej 189,334€, dhe “Ndërtimi i rrugës Junik Nivokaz, Komuna e Junikut” me vlerë prej 291,036€. Ndërsa, kontratat të cilat kanë qenë të përfshira dy herë në raport të kontratave të nënshkruara janë: “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Skivjan Novosellë” me vlerë prej 189,334€, “Zgjerimi i rrugës Hyrja në qytetin e Prishtinës, loti 1 dhe 2” me vlerë të kontraktuar prej 1,374,517€, “Ndërtimi i udhëkryqit në fshatin Xërxe” me vlerë 189,891€, dhe “Asfalltimi i rrugës në Rahovë të Madhe – Mitrovicë” me vlerë të kontraktuar prej 567,880€. Sipas Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, procesi i vlerësimit të tenderit do të fillojnë menjëherë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve dhe jo më vonë se 96 orë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve. Në 4 raste3 kemi hasur vonesa nga hapja e ofertave deri tek vlerësimi i tyre deri në 2 muaj. Më tej, MI për vitin 2017 nuk kishte formuar komisionet për inventarizim dhe vlerësim të pasurive dhe si rezultat i kësaj për vitin 2017 nuk kishte inventarizim dhe vlerësim të pasurive të organizatës. Gjatë vitit 2017 obligimet janë rritur për 7,053,536€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, arsye kryesore e krijimit të këtyre obligimeve ishte mungesë e buxhetit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Po ashtu theksohet se pagesa dhe raportimi i obligimeve, duhet që çdo faturë të vlefshme ta paguajë brenda afatit kohor prej 30 ditësh kalendarike nga data e pranimit të faturës.

“Gjithashtu, OB janë të obliguara që në Ministrinë e Financave të raportojnë në baza mujore faturat e pranuara dhe të papaguara. Në dhjetë raste kemi vërejtur që faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 3,588,671€ nuk ishin paguar brenda afatit prej 30 ditësh. Më tej, në dy raste kemi vërejtur faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 1,044€ nuk ishin përfshi në raportet mujore të obligimeve”, thuhet në raport.

Të ngjashme