Njerëz prej guri

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 22:10 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Neviana Shehi)

Nga dyert e zeza të kësaj shtëpie
hyjnë e dalin çdo ditë njerëz
prej guri
Sa herë dëgjoj kumbimet e hapave të tyre në rrugë
gjymtyrët e mi provojnë
një zhvendosje të lehtë
dhe një prishje ekuilibri
Njerëzit e gurtë të kësaj shtëpie
shikojnë vetëm përpara
dhe asnjëherë anash
nuk dinë të përshëndeten
me të tjerë
as të buzëqeshin
sado pak
Vetëm ndonjëherë
kur diskutojnë me zë me njëri tjetrin
ju kalon mbi fytyrë ndonjë përshkënditje e lehtë
por kjo është fare pak
Ata që janë ndeshur ballë për ballë me ta
tregojnë se fytyrat e tyre
janë kaq të ngurta dhe të ftohta
Ndonjëherë të ngjashëm me absurdin
Ndonjëherë me një copëz guri që lëviz
Unë nuk i kam shumë qejf fantazitë
por kam shumë dëshirë t’iu besoj atyre
Njerëz të tillë mund të kenë ardhur
nga një epokë e ngurtësuar historike
ose fare thjesht
mund të jenë njerëzit e së ardhmes
Ngjyra e frikshme e kësaj shtëpie ku banojnë ata
m’i jep të drejtë fantazive

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme