Njerëzit e lidhur me këshilltaren e Kurtit përfitojnë 100 mijë € nga fondet e qeverisë

Prishtinë | 30 Dhj 2022 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Dy njerëz të afërt me Ardita Sinanin, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës dhe këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, kanë përfituar direkt nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.

Gani Veseli, anëtar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Donika Behluli, bashkëshortja e Fatos Hysenit, ish-anëtarit të Kabinetit të Ardita Sinanit, kanë përfituar rreth 100 mijë euro bashkërisht nga projekte të mbështetura financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka ndarë javën e kaluar, në një mbledhje të kabinetit qeveritar më 23 dhjetor, 1.2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mjetet i janë ndarë Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Fondi është vënë në dispozicion për mbështetjen financiare të studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga Lugina e Preshevës.

Përzgjedhja e projekteve për përfitimin e mbështetjes financiare nga fondi, është bërë nga një komision i përbërë nga tre anëtarë. Dy anëtarë janë caktuar me aprovimin e Këshillit Nacional Shqiptar në Luginë dhe një anëtar është deleguar nga Qeveria e Kosovës.

Konkursi për financimin e projekteve të Organizatave jo-qeveritare dhe shoqatave kulturore e sportive është hapur më 1 tetor, por planifikimi i njerëzve të Ardita Sinanit për përfitimin e projekteve të financuara nga Qeveria e Kosovës ishte kryer para kësaj date.

Ish-drejtori i Kulturës në kabinetin e Ardita Sinanit, ish-kryetares së Preshevës, rezulton se e kishte hapur një organizatë jo-qeveritare një ditë para hapjes së thirrjes për aplikim.

Disa javë më vonë, fondacioni i udhëhequr nga Gani Veseli është përzgjedhur fitues i një projekti në vlerë prej 50 mijë eurove për “kultivime të tregimeve”.

Të ngjashme