Njerëzit të cilët kanë sy ngjyrë të kaltër kanë të gjithë një gjë të përbashkët. Sipas “Science Daily”, ata janë të gjithë pasardhësit e një personi të vetëm.
Shkencëtarët në Universitetin e Copenhagen thonë se kanë arritur të zbulojnë mutacionin genetik, përgjegjës për sytë blu, që përllogaritet të ketë ndodhur rreth 6 mijë – 10 mijë vite më parë.
“Dikur të gjithë kishim sy ngjyrë kafe, po një mutacion gjenetik që prek gjenin OCA2 në kromozomet tona çoi në krijimin e një çelësi që ‘fiku’ aftësinë për të prodhuar sy kafe”, shpjegoi për “Science Daily”, profesori Hans Eiberg.
Ky gjen është përgjegjës për proteinën që prodhon melaninën. Është kjo e fundit që i jep ngjyrë flokëve, lëkurës dhe syve.
Njerëzit me sy blu kanë një sasi të vogël melanine në sytë e tyre dhe për shkak të kësaj shkencëtarët konkluduan se ata kanë një paraardhës të përbashkët.