Njihuni me durrsaken që bën para duke udhëtuar nëpër botë

Prishtinë | 18 Nën 2017 | 13:54 | Nga

Klaudia Shabani është një vajzë shqiptare, e cila që prej fëmijërisë së saj jeton në Itali. Prej 8 vitesh e lidhur me Giovanni-in, çifti po merr gjithnjë e më shumë vëmendje pikërisht prej ndryshimit që vendosën të bënin me jetët e tyre.

Për 15 muaj me radhë çifti ka udhëtuar në 10 vende të ndryshme të botës, duke shpenzuar fillimisht vetëm 15 euro në ditë. Por kjo sigurisht nuk është gjithçka! Ata ia dolën t’i kthenin pushimet në një punë të vërtetë, nga e cila në fund të ditës gjeneronin fitime.

E kontaktuar nga Anabel.al, 26-vjeçarja me origjinë nga Durrësi tregon se rrugëtimi i tyre nisi thjesht si nevojë që ajo dhe partneri i saj i italian ndienin për të dalë nga monotonia e përditshme dhe rutina e lodhshme që profesionet përkatëse kishin filluar t’i jepnin.

Ndonëse ka punuar si menaxhere marketingu, pasioni i saj janë gjuhët e huaja dhe aktualisht zotëron mirë 7 të tilla.

“Dëshira për të udhëtuar erdhi kur përditshmëria jonë u bë shumë monotone dhe gjithçka përqendrohej vetëm tek puna. Kishte gjithnjë e më pak kohë për mua dhe partnerin tim. Para se të niseshim, nuk na mungonte asgjë në fakt, por kishte diçka që s’ndiheshim të plotësuar. Ndoshta koha jo e mjaftueshme për të qenë bashkë.”, rrëfen Klaudia.

Duket sikur ajo dhe i dashuri i saj, Giovanni ishin bërë për njëri-tjetrin në çdo aspekt. Përpos ndjenjës që i bashkonte, ishin në harmoni të plotë për të nisur një aventure të gjatë dhe plot mistere si e tyre. Ai ishte videograf me eksperiencë dhe ajo e apasionuar pas marketingut në rrjete sociale. Të dy e kishin ndarë mendjen të eksploronin botën , me shumë pak para.

E gjithë kjo, nisi pa menduar se një ditë do t’i kthenin pushimet e tyre në një punë të vërtetë, derisa të njeheshin si çifti i blogerëve të udhëtimeve.

Deri më tani, Klaudia tregon se kanë vizituar Bullgarinë, Nepalin, Indinë, Sri Lankën, Malajzi, Singaporin, Kamboxhian dhe aktualisht, kur e kontaktuam, ndodhej në Laos.

Çdo udhëtim shoqërohej me fotot të postuara në rrjete sociale që dalëngadalë, u spikatën nga hotelet më luksoze të vendeve të mësipërme, të cilat i ofronin qëndrimin falas në këmbim të marketingut kaq të mirë që Klaudia dhe partneri i saj bënin. Ajo tregoi se nëse në fillim shpenzonin 15 euro personi për gjithçka, tani që qëndrimin e kanë falas e mbyllin ditën me vetëm 10-12 euro. Çifti, e ktheu pasionin në një punë duke ndarë me të gjithë fotografi dhe përjetime, në çdo platformë të mundshme të rrjeteve sociale.

Edhe pse ishte entuziaste për jehonën që projekti i tyre ka marrë, shqiptaren nga Durrësi e shqetësonte diçka. Faktin që origjinën e saj nuk e përmendnin, duke u mjaftuar me faktin se Giovanni ishte italian.

“Çdo gazetë që ka shkruar për ne, më ka bërë se s’bën italiane, por nuk është e drejtë sepse thjesht nuk jam. Dëshiroj shumë të merret vesh që edhe shqiptarët kanë shans dhe mund të jenë blogere udhëtimesh (Travel Influencer).”, -thotw ajo.

Interesante tjetër, ishte fakti se me shumë gjasa, Klaudia ishte shqiptarja e parë që prej shumë kohësh gjendet në udhëtim të vazhdueshëm duke shndërruar ëndrrën në një punë fitimprurëse.

“Ajo që ma ka bërë paksa të vështirë këtë eksperiencë është nënshtetësia ime, sepse në disa prej vendeve nuk ka një ambasadë shqiptare. Madje nuk e dinë fare ekzistencën e vendit tonë, duke menduar se kam një pasaportë false.”, tregon ajo.

Deri më tani strategjia që çifti ka zgjedhur është një nga elementët kryesorë që bën të mundur udhëtimin e tyre të vazhdueshëm. Ndjekësit në median sociale, preferojnë t’i quajnë si blogerë, por Klaudia nuk e ndjen të nevojshme këtë. E rëndësishme për të, ishte që ia doli të shndërronte ëndrrën në punë dhe në të njëjtën kohë të gjente lumturinë që i mungonte prej kohësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme