Njohësi i çështjeve të emergjencave kërkon hetim për cilësinë e bombolave të gazit

Prishtinë | 06 Jan 2021 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti tha se për shpërthimin në Ferizaj duhet të bëhet një hetim i hollësishëm ndaj bombolave të gazit.

Tutje, Ahmeti tha se janë shqetësuese incidentet e fundit, të shpërthimeve të bombolave të gazit.

“Shumë shqetësuese lajmet për incidentet e fundit, të shpërthimeve të bombolave të gazit, njëra brenda një qendre tregtare dhe një tjetër në një lokal gastronomie, të ndodhura në Kosovë brenda një jave, ku pati shumë të lënduar” shkruan ai në profilin e tij zyrtar.

“Duhet hetim i hollësishëm i rasteve, ne mënyrë që të dihet saktësisht shkaktari. A ka të bëjë me cilësinë e bombolave të gazit, si kanë hyrë në treg në Kosovë, përmes rrugëve ligjore apo janë futur në mënyrë ilegale, si dhe a i kanë pasë të kryera atestet dhe kontrollet periodike. Apo kemi të bëjmë me instalimin dhe përdorimin jo të drejtë të tyre”, tha ai.

Ahmeti tha se duhet ditur shkaktari dhe përgjegjësit e mundshëm të këtij incidenti.

“Fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë nga këto shpërthime, por pati shumë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale. Institucionet përgjegjëse duhet të ngritin alarmin duke ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, në mënyrë që të parandalohet ndonjë tragjedi edhe më e madhe nga përdorimi i bombolave të gazit”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme