Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë obligim të zbatojnë marrëveshjen e Mini-Schengenit, mirëpo disa prej këtyre vendeve tashmë pritet t’i nënshtrohen procesit zgjedhor, e që për pasojë mund të ketë ndryshime të qeverive.
Njohësit e çështjeve politike thonë se pavarësisht ndryshimit të qeverive implementimi mund të varet edhe nga vullneti i administratës së re amerikane dhe Bashkimit Evropian.
Pavarësisht qasjes që kishte më parë, Kosova më 7 shtator në Uashington është zotuar se do të jetë pjesë e kësaj nisme.
Belgëzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale, thotë se çështja e Mini-Schengenit varet nga vullneti i Administratës Biden.
“Çështja e Mini-Schengenit në veçanti dhe Marrëveshja e 4 shtatorit në përgjithësi mendoj se do të varet më shumë nga qasja e Administratës Biden se nga qeveritë në Ballkan. Siç dihet, praktikat tregojnë se administratat e raja në SHBA vazhdojnë marrëveshjet e administratave paraprake të nënshkruara”, deklaroi për RTV dukagjinin, Belgëzim Kamberi.
Nga ana tjetër profesori universitar Afrim Hoti, thotë se pos SHBA-së edhe Bashkimi Evropian ka një rol kyç në realizimin e Mini-Schengenit.
“Zbatueshmëria e Mini-Schengenit do të varet nga vendosmëria që do të reflektoj Bashkimi Evropian, sepse projeksioni që ka marrëveshja përputhet me kushtet që ka BE-ja për anëtarësimin e këtij rajoni. Pastaj qëndrimi i SHBA-së apo administratës së re amerikane që do të mbajë ndaj këtij projekti”, deklaroi Afrim Hoti.
Për Mini-Schengenin është diskutuar edhe në vitin 2010 kur presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu, kishte takuar në Prevallë presidentët e vendeve fqinje, të cilët edhe ishin shprehur të gatshëm për formimin e një Mini-Schengeni