Përkundër faktit se disa vende mund të kenë tërhequr aktin e njohjes, autoritetet në Prishtinë besojnë se janë 116 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet. Ky numër ishte prezantuar edhe një vit më parë, në shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë.
Konfuzioni rreth numrit të njohjeve është shtuar pas fushatës diplomatike të Serbisë e orientuar drejt shfuqizimit apo anulimit të njohjeve të Kosovës nga shtete të caktuara.
Por, Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se për njëmbëdhjetë vjet, Kosova ka shënuar një sukses të konsiderueshëm në raport me shumë vende të tjera të cilat janë ë pavarura, ndonëse ka hasur edhe në vështirësi të mëdha.
“Kjo nuk do të thotë se tash ne duhet të ndalemi, por e them si Ministri, ne i ftojmë të gjitha institucionet që të koordinojnë veprimet me ne dhe të përkrahemi në të bërit diplomaci dhe politikë të jashtme në koordinim me MPJ-në dhe ministrin”, tha Haxholli.