Norma e papunësisë 11.4% në 3-mujorin e tretë, niveli më i ulët historik në Shqipëri

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Tiranë, 6 shkurt – Në Shqipëri, shkalla e papunësisë ra në nivelin e 11.4%, që shënon edhe nivelin më të ulët të regjistruar në dy dekadat e fundit, shenjë e ekuilibrit të tregut të punës.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë publikuar një ditë më parë, norma e papunësisë shënoi vlerën 11.4% në tremujorin e tretë, çka përbën dhe normën më të ulët historike të regjistruar në Shqipëri.

Ndërsa raporti vlerëson se paga mesatare regjistroi një rritje vjetore prej 3.7%.

Edhe Komisioni Europian në raportin e publikuar në fund të vitit që lame pas për ekonomitë europiane vlerësoi se në gjysmën e parë të vitit 2019, treguesit e punës u përmirësuan ndjeshëm.

“Shkalla e papunësisë ra nën 12%, niveli më i ulët historik. Trendet pozitive të tregut të punës u pasqyruan gjithashtu në rritjen e vazhdueshme të shkallës së pjesëmarrjes në këtë treg në nivelin 69.9%. Rritja e punësimit pritet të vijojë me një ritëm të qëndrueshëm dhe norma e papunësisë parashikohet të bjerë më tej” , citohet raporti.

Rritja e punësimit është kyçe për gjenerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve, e për rrjedhojë për të ushqyer konsumin, kursimet e investimet, dhe rritjen e mëtejshme të ekonomisë/ATSH.

Të ngjashme