Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Peach shkon në Serbi, takohet me Vuçiqin

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

I dërguari special i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, sot viziton Beogradin, ku do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Peach do të takohet veçmas me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Pritet që tema e diskutimit të jetë situata në Ballkanin Perëndimor, me theks në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe bashkëpunimin dypalësh.

Ai shkon në Beograd 12 ditë pas vizitës në Kosovë, ku me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani ka diskutuar ndër të tjera për sfidat në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e Rusisë.

Ai është një nga përfaqësuesit e shumtë të vendeve të fuqishme që po qëndron në Kosovë dhe Serbi gjatë këtij fillim viti.

Javën e kaluar Prishtinën dhe Beogradin e vizitoi këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet i shoqëruar nga zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

Escobar, siç raporton Radio Evropa e Lirë, duke cituar burime diplomatike në Bruksel, në fund të javës vjen sërish në Prishtinë dhe Beograd, por kësaj radhe me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Qëllimi i vizitës së Lajçakut dhe Escobarit është përgatitja për raundin e ardhshëm të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel, përkatësisht takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pritet që të dërguarit special të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonn dhe Jens Plettner, së shpejti të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, por për momentin nuk dihet nëse do të vijnë së bashku me Lajçakun dhe Escobarin.

Bonn dhe Plettner, këshilltarë të Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, në shtator 2022 i dorëzuan Vuçiqit dhe Kurtit propozim franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.

Të ngjashme