Është e shtunë pasdite në Geuzenveld, një lagje e qetë në periferi të Amsterdamit. Treqind metra larg stacionit kryesor, fëmijët luajnë futboll. Në rrethoja prapa portave, një pano dominon skenën.
“Appie 4 Ever” (Appie përgjithmonë).
Geuzenveld nuk është një pjesë turistike e kryeqendrës së Holandës. Mirëpo, kjo fushëlojë, në mënyrë të trishtë është bërë si vend pelegrinazhi për tifozët e Ajaxit dhe adhuruesit e tjerë të futbollit, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ky është vendi ku Abdelhak Nouri, i njohur si Appie, mësoi hapat e parë në futboll. Ishte fusha ku tentonte të kopjonte emrat si Andres Iniesta, Kaka e Ronaldinho. Ishte këtu ku rafinoi teknikën dhe kontrollin e topit, para se të bënte debutimin profesionist.
“Appie prapë vinte këtu edhe pasi u ngrit në skuadrën e parë të Ajaxit”, thotë një nga fëmijët.
Ai bën me gisht, me krenari, te një flamur i madh në të cilin është kapur një nga momentet më ikonike të Nourit – goli i tij i parë si senior, më 21 shtator të vitit 2016.
Nouri 22-vjeçar ishte një nga futbollistët më premtues të akademisë së Ajaxit. Ai i përkiste gjeneratës së njëjtë të talenteve që arritën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve stinorin e kaluar. Por karriera e tij pati një fund tragjik.
Ai kolapsoi në ndeshjen miqësore kundër Werder Bremenit gjatë fazës para-sezonale në Alpet Austriake më 8 korrik të vitit 2017. Tash është në shtrat spitalor me dëme të përhershme në tru.
Para asaj ndeshjeje fatkeqe në Lindenstadion Hippach, rreth 65 kilometra nga Innsbrucku, Nouri kishte vuajtur nga dhembje barku dhe nuk kishte fjetur mirë.