Nuk ndalen Prishtina dhe Feronikeli, vazhdon gara për titullin

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Titulli i kampionit në Superligën e Kosovës duket se do të vendoset vetëm në xhirot e fundit.

Feronikeli dhe Prishtina nuk po ndalen duke shënuar fitore, duke vazhduar kështu luftën e pakompromis për titullin e kampionit.

Skuadra nga Drenasi ka shënuar fitore bindëse në udhëtim kundër Lirisë, me rezultatin 0:4, shkruan lajmi.net.

Ishte Kastriot Rexha me dy gola të shënuara në minutat 9’ dhe 37’, Zeka në minutën e 70’, dhe Dabiqaj 90′ që kontribuuan në fitoren e drenicasve.

Me këtë fitore, Feronikeli mban pozitën e parë, duke ruajtur distancën prej tri pikësh me skuadrën nga kryeqyteti.

Prishtina në anën tjetër nuk lejoi ndonjë befasi, dhe me sukses arriti që të marrë tri pikët nga udhëtimi në Ferizaj, duke triumfuar me rezultatin 0:2.

Ishte Meriton Korenica i cili shënoi golin e parë për prishtinasit, kur po luhej minuta e 29. Goli i dytë erdhi nga Armend Thaçi, në minutën e 80’ për t’i dhënë tri pikë të mëdha skuadrës së tij.

Kështu, diferenca mes vendit të parë (Feronikelit) dhe vendit të dytë (Prishtinës) vazhdon të jetë tri pikë.

Të ngjashme