Nuk ndalet rritja e çmimeve në Shqipëri, inflacioni arrin në 8.3 për qind në tetor

Prishtinë | 08 Nën 2022 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur në Shqipëri, ndonëse ritmet janë ngadalësuar muajt e fundit.

Sipas institutit kombëtar të statistikave INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit, ose ndryshe inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë mallrash të caktuar, arriti në 8.3 për qind, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po e merrte veten nga kriza që shkaktoi në ekonomi rënia e piramidave.

Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor është 8.3 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 2.4 për qind.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor krahasuar me shtatorin është 0.4 për qind. Në shtator inflacioni kishte arritur një tjetër rekord të 24 viteve të fundit, në 8.2 për qind.

Ushqimet dhe karburanti janë produktet që janë bërë më të shtrenjta për familjet shqiptare.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me një rritje prej 5.09 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me 1.00 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën 0.70 pikë përqindje, ndërkohë që çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” u rritën me 0.48 pikë përqindje.

Të ngjashme