Numri i rasteve të reja me Coronavirus po ngrihet kudo, si asnjëherë tjetër

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Pandemia e koronavirusit po dobësohet në disa prej shteteve të goditura më parë, por numri i rasteve të reja po ngrihet shumë më shpejt anembanë botës, me më shumë se 100 mijë raste të reja të raportuara në ditë.

Dyfish më shumë shtete kanë raportuar ngritje të rasteve të reja gjatë dy javëve të kaluara, pas raporteve fillestare për rënie, mësohet nga të dhënat e mbledhura nga gazeta amerikane “New York Times”. Më 30 maj ishte raportuar për më shumë raste të reja në çdo ditë deri në këtë datë: 134.064. Ngritja është shkaktuar nga vatrat e reja në Amerikën Latine, Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Në përgjithësi, janë raportuar më shumë se 6.3 milionë raste anembanë botës dhe më shumë se 380 mijë vdekje. Më shumë se çereku i të gjitha vdekjeve të raportuara kanë qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por gjeografia e pandemisë po ndryshon shpejt.

Ngritjet në disa vende mund të kenë ardhur për shkak të përmirësimit të programeve të testimit. Por në shumë shtete, duket se virusi ka shënuar forcë fatale dhe është shtrirë në krejt botën. Ndërsa disa shtete kanë dyfishuar rastet, vetëm gjatë tri javëve të kaluara.

Numri i rasteve në Brazil ka shkuar në tridhjetë mijë të martën, përderisa zyrtarët kanë raportuar për 1.262 vdekje. Kjo është shifra më e lartë në shkallë vendi brenda 24 orëve.

Presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka minimizuar kërcënimin e virusit.

“Na vjen keq për vdekjet, por ky ka qenë fati i gjithsecilit”, është shprehur ai.

Brazili tashmë ka më shumë se gjysmë milioni raste të konfirmuara, duke u bërë shteti i dytë më i goditur nga virusi pandemik pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por vendi vazhdon të jetë pa ministër Shëndetësie, për shkak se presidenti kundërthënës ka shkarkuar dy sish gjatë kohës së krizës shëndetësore.

Peruja ndërkaq ka raportuar për 170 mijë raste të konfirmuara, pavarësisht se virusin e kishte marrë seriozisht qysh prej raportimit të rasteve të para në vend.

Presidenti Martin Vizcarra ka urdhëruar i pari mbyllje të vendit në Amerikën Latine. Peruja ka raportuar në maj 14 mijë vdekje më shumë sesa gjatë së njëjtës periudhë kohore të viteve paraprake. Pandemia ka provokuar eksod nga kryeqyteti, me qytetarët që kanë mësyrë zonat e thella. Pritet që këto udhëtime të ngrenë numrin e rasteve të reja të konfirmuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme