Numri i vdekjeve nga koronavirusi Covid-19 ka tejkaluar shifrën prej 5,000 në Evropë, përderisa Italia, Spanja dhe Gjermania kanë raportuar për një rritje të theksuar të infeksioneve.
Vdekjet në mbarë botën u rritën në 11,000 të shtunën, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se 277,000 njerëz janë infektuar, ndërsa rreth 88,000 janë shëruar.
Italia njoftoi për 627 vdekje të tjera të premten, rritja më e madhe ditore në epideminë katërjavore të vendit – një ditë pasi tejkaloi numrin e vdekjeve të Kinës. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Itali tani ka arritur në 4,032.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë gjithashtu është rritur në më shumë se 1,300, ndërsa në Iran u raportuan 123 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1,556.